Që nga janari i këtij viti e deri në fund të tetorit janë regjistruar 92 aksidente trafiku me pasoja fatale në Kosovë, ndërsa persona të cilët kanë ndërruar jetë si pasojë e këtyre aksidenteve janë 103.
Nëse e krahasojmë këtë periudhë me vitin e kaluar, atëherë i bie se numri i aksidenteve fatale dhe personave të vdekur është rritur.
Në vitin 2016 që nga janari deri në tetor kishin ndërruar jetë 92 persona, ndërsa aksidente fatale ishin regjistruar 82.
Këtë e ka bërë të ditur për Indeksonline zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha i cili ka treguar se një ndër shkaktarët e vdekjeve në komunikacion është tejkalimi i shpejtësisë.
Policia apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes më të madh gjatë drejtimit të automjeteve, posaçërisht tani kur kemi të bëjmë edhe me ndryshime të kushteve atmosferike, të reshura dhe zvogëlim të dukshmërisë nëpër rrugë.
“Policia apelon tek të gjithë drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes më të madh gjatë drejtimit të automjeteve, posaçërisht tani kur kemi të bëjmë edhe me ndryshime të kushteve atmosferike, të reshura dhe zvogëlim të dukshmërisë nëpër rrugë. Sepse janë vet drejtuesit e automjeteve ata të cilët mund të kontribuojnë në reduktimin e aksidenteve, e në veçanti që po paraqesin një shqetësim të madh”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, numri më i madh i aksidenteve janë vet-aksidentet, ndërsa numri më i madh i të vdekurve janë shoferët.
Sipas statistikave, në periudhën janar-shtator nga 84 aksidente fatale, 26 aksidentet fatale kanë qenë vet-aksidente.Ndërsa, nga 95 persona që kanë humbur jetën në aksidente trafiku 40 apo 42.1 për qind kanë qenë shofer.
Ndryshe, deri më tash gjatë muajit nëntor kanë ndodhur pesë aksidente me fatalitet.