Mbrojtja e Pjetër Shalës ia paraqet disa fotografi dëshmitarit të shtatë

Prishtinë | 05 Qer 2023 | 15:58 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar gjykimi kundër Pjetër Shalës, ku është intervistuar edhe dëshmitari i shatë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Gjatë seancës, mbrojtja e të mbrojtja e të akuzuarit i ka shfaqur disa fotografi për dëshmitarin, por ato nuk janë bërë publike.

Këto fotografi janë të disa personave për të cilët dëshmitari më herët kishte thënë që nuk i njeh, sipas avokatit Mohamed Hédi Aouini.

Mirëpo sot dëshmitari ka thënë që në njërën prej fotografive është një person të cilin e njeh, por më parë, sipas tij, nuk ka arritur ta identifikojë.

“A konfirmoni që nuk e keni njohur këtë person kur ju është treguar kjo fotografi më përpara, jo sot, por në atë momentin që nuk duhet ta përmendim?” e ka pyetur avokati Aouini.

“Propozoj që t’i bëhen këto pyetje dëshmitarit, a mund të komentoni pse nuk e keni njohur këtë person në këtë fotografi atëherë?”, është përgjigjur kryegjykatësja Veldt Foglia.

“Kam qenë edhe sëmurë nga sytë, dhe jam ende sëmurë, nuk kam pasur syze dhe nuk i kam vërejtur fort, unë që dy vjet kam fillu me syze, i kam dy palë, edhe të leximit edhe kështu, mu tash mu kujtu dhe prapë po them se mua po më përngjan shumë në personin që ka qenë palë e dëmtuar, se ka qenë në dhomën time. Nuk do të thotë që nuk e kam njohur sot e të nesërmen po e njoh, se kokën e kam goxha të ngarkuar”, është përgjigjur dëshmitari.

“Syzet që mi ka dhënë mjeku I kam për bazë nervore kur jam nervoz duhet me i mbajt, i mbaj dy tre orë deri të qetësohet truni, shoh më mirë, atëherë i heq, se nuk mund t’i mbaj rregullisht sepse i kam prej mjekut, sepse ndikon në sy, në bazë nervore, në pamje”, ka vazhduar ai.

“Dëshmitari kur ju përgjigj asaj pyetje, nuk i kishte vënë syzet, kaq kisha për të thënë”, ka thënë më pas avokati Aouini.

Vetëm kjo pjesë e seancës ka qenë publike, pasi që pjesa tjetër ka qenë e mbajtur privatisht.

Seanca është zhvilluar publike vetëm në këtë pjesë, pjesa më e madhe e saj ka vijuar e mbyllur për publikun.

Sipas Gjykatës Speciales, “krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Të ngjashme