Në seancën e mbajtur në Gjykaten Themelore në Prishtinë, mbrojtja e të akuzuarit Vullnet Gashi, përmes avokatit Driton Muharremi, ka kërkuar lirimin e tij nga akuzat lidhur me aksidentin fatal të datës 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton”, raporton Ekonomia Online.
Sipas mbrojtjes, gjatë shqyrtimeve kryesore nuk është vërtetuar lidhja shkak-pasojë që do ta bënte të pandehurin përgjegjës për vdekjen e këmbësorit Ferat Bejtullahu.
Në fjalën e tij, avokati Muharremi theksoi se provat e administruara tregojnë se aksidenti erdhi si pasojë e veprimeve të vetë këmbësorit.
“Mbrojtja e të pandehurit Vullnet Gashi vlerëson se gjatë shqyrtimeve kryesore të mbajtura nuk u vërtetua se i mbrojturi ynë ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar. Gjykata gjatë shqyrtimeve kryesore ka administruar prova personale dhe materiale, të cilat nuk po i përmendi, edhe pse i kam të shkruara këtu, ku, do të thotë, në bazë të këtyre provave në asnjë moment nuk vërtetojnë konsumimin e veprës penale për të cilën akuzohet i mbrojturi ynë. Ato, përkundrazi, tregojnë qartë se aksidenti i datës 02.12.2023 në rrugën ‘Bill Clinton’ në Prishtinë, ka ndodhur për shkak të sjelljes së papritur dhe të kundërligjshme të këmbësorit, tanimë të ndjerit, ndërsa veprimet e të mbrojturit tonë, edhe nëse përmbajnë shkelje formale të rregullave të trafikut, nuk kanë qenë shkakut efikas i pasojës fatale“, tregon avokati.
Mbrojtja sqaroi rrethanat e vendit të ngjarjes dhe lëvizjen e pjesëmarrësve në trafik.
“Aksidenti ka ndodhur ato provat të cilat nuk janë kontestuese e që janë vërtetuar, është se aksidenti ka ndodhur në zonën urbane, rrugë me gjashtë shiritë nga tri për drejtim, me ndarje fizike ku kufizimi i shpejtësisë është 40 km/h, sipërfaqe e thatë dhe dukshmëri e mirë. Automjeti A, që është automjeti i të pandehurit, lëvizte në shiritin e djathtë, shirit i rezervuar për autobusë dhe taksi. Këmbësori Ferat Bejtullahu po kalonte rrugën nga ana e majtë në drejtim të anës së djathtë, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, në distancë rreth 71 metra nga vendkalimi më i afërt. Në shiritin e mesëm po lëvizte një kamion. Këmbësori, tanimë i ndjeri, ka dalë duke vrapuar para kamionit dhe sa po ka hyrë në shiritin e djathtë është goditur. Vdekja është konstatim i QKUK-së. Këto fakte nuk kontestohen. Ajo që kontestohet është lidhja kauzale, shkak-pasojë dhe mundësia teknike e evitimit të aksidentit nga ana e drejtuesit.”
Pika kyçe e mbrojtjes lidhet me kontradiktat mes dy ekspertizave të paraqitura në gjyq: asaj të ekspertit Ahmet Maxhuni dhe ekspertit Durak Cikaçi.
“Provat tjera të diskutueshme janë dy ekspertizat e komunikacionit, të cilat janë diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën. Ekspertiza e komunikacionit e punuar nga eksperti Ahmet Maxhuni ka konstatuar se shpejtësia e llogaritur 50-60 km/h është e bazuar kryesisht vetëm në dëmet materiale të automjetit dhe jo në ndonjë provë tjetër, e po ashtu nuk ka përdorur ndonjë metodë shkencore. Kjo ekspertizë konstaton se drejtuesi i automjetit është shkaktar primar për tri arsye: tejkalim i shpejtësisë, lëvizje në shiritin e autobusëve dhe drejtim në masën e ndalimit; por për asnjërën nga këto lëshime të cekura nuk ka dhënë ndonjë argument shkencor, por vetëm supozime. Këmbësorit i ia jep vetëm lëshimet sekondare, edhe përkundër se në fund të ekspertizës, konkretisht në faqen 14, ky ekspert ka konstatuar se këmbësori ka kaluar rrugën në kundërshtim me dispozitën ligjore të Ligjit 05/L-088 për Rregullat e Trafikut Rrugor, neni 143, pika 3.”
Nga ana tjetër, mbrojtja iu referua ekspertizës së ekspertit Durak Cikaçi, e cila, sipas tyre, bazohet në metoda shkencore dhe analiza filmike.
“Ekspertiza e komunikacionit e punuar nga eksperti Durak Cikaçi dhe dëgjimi i tij në seancën e datës 21.07.2026 thekson: shpejtësia e llogaritur prej 45 km/h është bazuar në analizën hapësinore-kohore, pamjet filmike nga kamerat e sigurisë, si dhe metodave shkencore. Distanca e vërejtjes së rrezikut ka qenë vetëm 8.29 metra. Goditja ka ndodhur brenda kohës së reagimit, ndërsa frenimi ka ndodhur pas goditjes. Dalja e këmbësorit ka qenë e papritur për shkak të kufizimit të fushëpamjes nga kamioni. Lëvizja në shiritin e transportit publik nuk konsiderohet lëshim që ka shkaktuar aksidentin, sepse automjeti që ndodhet në atë shirit ka përparësi. Tejkalimi i eventual i shpejtësisë është lëshim që lidhet me pasojat, jo me shkakun e aksidentit dhe as me mundësinë teknike të evitimit të tij. Ka konstatuar se mundësia eventuale e evitimit të aksidentit do të ishte 21.89 km/h. Andaj kjo nënkupton se drejtuesi i automjetit nuk ka lëshime që lidhen me mundësinë e evitimit të aksidentit“, thekson avokati.
Avokati nësubvizoi gjithashtu se edhe vetë eksperti Maxhuni e kishte pranuar se në shpejtësinë e lejuar fatkeqësia nuk mund të evitohej.
“Faktin se fatkeqësia do të ishte e paevitueshme nga ana e drejtuesit të automjetit në lëvizje prej 40 km/h e ka konstatuar edhe eksperti Ahmet Maxhuni, i cili në pyetjen e bërë në seancën e datës 25.06, në faqen 7 të procesverbalit, ka theksuar se edhe me shpejtësinë e lejuar prej 40 km/h nuk do të mund të evitohej fatkeqësia.”
Mbrojtja shprehu keqardhje për refuzimin e trupit gjykues ndaj propozimit të përbashkët të palëve për marrjen e një superekspertize.
“Në seancën e datës 21.07.2026, si mbrojtja, ashtu edhe Prokuroria e Shtetit dhe pala e dëmtuar, kemi propozuar marrjen e provës me superekspertizë nga grupi i ekspertëve, bazuar në nenin 140 të Kodit të Procedurës Penale. Gjykata ka refuzuar këtë propozim. Mbrojtja vlerëson se ky vendim për refuzimin e marrjes së provës me ekspertizë nga akademia e komunikacionit me grup të ekspertëve e lë gjykatën përballë një konflikti shkencor të pazgjidhur në pikat vendimtare të kauzalitetit dhe mundësisë së evitimit të dilemave lidhur me përgjegjësinë e pjesëmarrësve në këtë fatkeqësi të komunikacionit. Në këto kushte, gjykata është e obliguar të veprojë konform nenit 3, paragrafit 2 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se me dyshimet lidhur me ekzistimin e fakteve të rëndësishme për çështjen ose për zbatimin e ndonjë dispozite të ligjit penal, interpretohen në favor të të pandehurit dhe të drejtave të tij sipas këtij kodi dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”
“Parimi In dubio pro reo kërkon që përballë dy ekspertizave të kundërta, gjykata të zbatojë interpretimin më të favorshëm për të pandehurin sa i përket elementeve të kauzalitetit dhe mundësisë teknike të evitimit, ashtu që gjykata do të duhet t’i japë besimin ekspertizës së komunikacionit të punuar nga eksperti Durak Cikaçi. Mbrojtja mbetet me shpresë se gjyqtari i vetëm gjykues do ta rihapë shqyrtimin kryesor dhe do të urdhërojë superekspertizën nga institucioni i specializuar, përkatësisht Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës“, tha ai.
Muharremi analizoi veprimet e këmbësorit mbështetur në kuadrin ligjor.
“Sa i përket veprimeve të këmbësorit, sipas nenit 143 për Rregullat e Trafikut Rrugor, është e përcaktuar me paragrafin 2 se kalimi i rrugës jashtë vendkalimit lejohet me kusht që nuk e pengon qarkullimin e mjeteve. Këmbësori obligohet që t’i japë përparësi mjeteve dhe ta kalojë rrugën duke shfrytëzuar rrugët më të shkurtra, në kënd të drejtë me vijën e mesit të rrugës. Paragrafi 3: brenda zonës urbane, në rrugët me dy shirita rrugorë të ndara mes veti, këmbësori obligohet ta shfrytëzojë vetëm vendkalimin e paraparë për këmbësorë. Këmbësori ka kaluar rrugën 71 metra larg vendkalimit, ka kaluar tri shirita, përfshirë shiritin e mesëm ku lëvizte kamioni, ka dalë duke vrapuar para kamionit dhe ka hyrë në shiritin e djathtë pa i dhënë përparësi automjetit që po lëvizte, si dhe brenda zonës urbane, në rrugën me dy shirita rrugorë të ndara mes veti fizikisht, në cilësi të këmbësorit nuk ka vepruar ashtu siç ka qenë i obliguar që ta shfrytëzojë vetëm vendkalimin e paraparë për këmbësorë. Kjo sjellje është në kundërshtim të plotë me detyrimin ligjor të dhënies së përparësisë dhe shfrytëzimit të vendkalimit të paraparë për këmbësorë. Dalia e tij ishte e papritur dhe e fshehur nga kamioni. Ky është faktori vendimtar që ka krijuar situatën e rrezikut“, tha tutje avokati.
