Kryesia e Kuvendit të hënën e ardhshme do ta caktojë datën e votimit të tri projektligjeve për transformimin e FSK-së.
Bëhet e ditur se ushtria e Kosovës do të votohet në Kuvend më 14 dhjetor të këtij viti. Ditë më parë gazeta ka raportuar se votimi i ushtrisë do të bëhet në gjysmën e parë të këtij muaji (dhjetor).
Votimi në lexim të dytë në Kuvend të Kosovës i tri projektligjeve që mundësojnë transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës do të bëhet në seancën e 14 dhjetorit të këtij viti, bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”.
Para se të ndodhë votimi Kryesia e Kuvendit të hënën e ardhshme, më 3 dhjetor, do ta caktojë datën e seancës, e cila sipas këtyre burimeve do të jetë të premten e 14 dhjetorit.
Ditë më parë është raportuar se ushtria e Kosovës do të votohet gjatë gjysmës së parë të këtij muaji, ndonëse fillimisht ishte menduar që votimi të ndodhë më 6 ose më 13 dhjetor, përderisa grupet parlamentare tashmë janë dakorduar që një votim i tillë të ndodhë më 14 dhjetor.
Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, gjatë ditës së premte në takimin e tij me komandantin e ri të KFOR-it në Kosovë, Lorenzo D’Addario, e ka njoftuar këtë lidhur me procedurën e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
Veseli me këtë rast ia ka bërë të ditur komandantit të ri të KFOR-it hapat përfundimtarë që do t’i ndërmarrë Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë muajit dhjetor për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.
“Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë një forcë e përgatitur mirë, multietnike dhe aleate e denjë e NATO-s për të ofruar paqe në gjithë rajonin dhe më gjerë”, ka thënë ndër të tjera Veseli.