Me 97 vota për, Kuvendi miraton Rezolutën që dënon ashpër sulmin terrorist në veri

Prishtinë | 28 Sht 2023 | 13:59 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar me 97 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Rezolutën që dënon ashpër sulmin terrorist të grupeve kriminale mbi Policinë e Kosovës që ndodhi të dielën, raporton Ekonomia Online.

Në këtë Rezolutë, të punuar nga Grupet Parlamentare, kërkohet që faktori ndërkombëtar të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me mbështetjen që i ka bërë këtij grupit terrorist, nga sulmet e të cilit ka vdekur një polici i Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Dokumenit ka gjithsej 7 nene, ku iu jepet mbështetja institucioneve të Kosovës për ngjarjet në veri:

1.            DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2.            VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (EULEX dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3.            OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4.            KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5.            INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6.            KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përbashkëta euro-atlantike;

7.            KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë;

Të ngjashme