Mendësia anti-biznes e kësaj qeverie

Prishtinë | 22 Gus 2023 | 09:17 | Nga Shenoll Muharremi

Një klimë anti biznes po tentohet të krijohet, por do të dështojë. Vetëm një pyetje fundamentale do e qartësonte të gjithë këtë situate: Kush i financon pagat tuaja? Si fincancohet Qeveria e Kuvendi? Nga kush financohet zyrtarja e partisë që çdo javë sulmon nga një biznes të madh në Kosovë? Nga bizneset e Kosovës.

Po mos të ishin bizneset, nuk do kishte shtet fare. Nuk do të kishte paga. As shkolla e spitale. As doktorë e mësues. As policë. Do kolapsonim e bankrotonim. Sa më i madh biznesi aq më shumë taksa paguan. Sa më shumë biznese të mëdha, ekonomia më e fuqishme ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve.

Kjo qeveri po tenton të instalojë një klimë agresive kundër bizneseve dhe kjo po bëhet nga nga njerëzit kryesorë të qeverisë. Një mendësi ekonomike e majtë që nuk e duron kapitalin privat. “Nuk duhet të pasurohesh”, është gabim. Një mendësi që as në vendet komuniste si Kina nuk ekziston.

Një keqkuptim i madh i organizimit të shtetit dhe ekonomisë po ndodhë momentalisht. Të barabartë në varfëri, kështu do të përfundojmë me këtë mendësi. Por nuk ka gjasa të fitojë një logjikë e tillë. Sistemi do e abortojë. Gjithçka si është ndërtuar ky shtet e kjo shoqëri është në favor të sëndërtimit të ekonomisë së lirë të tregut.

Nuk mundet me i caktu qeveria çmimet e tregut. Qeveria mundet me rregullu konkurrencën e lirë dhe ndershme. Nuk mundet me ndalu prokurime vetëm pse po fitojnë bizneset, duhet me organizu prokurimet asisoj që me përfitu më shumë biznese e kundër monopoleve. Gjithsesi duhet me fitu bizneset, gjithsesi duhet me u pasuru njerëzit se nuk ka mënyrë tjetër me u rritë dhe me e pas qëndueshmëri shteti i Kosovës.

Kjo mendësi anti-biznes nuk do kalojë, për shkak se e rrezikon sigurinë kombëtare të Kosovës. Luftat moderne nuk bëhen me Lulzimin e ngujuar në burg, por me ekonomi. Duhen biznese të mëdha me luftu me shtet tjera dhe me e rritë ekonominë. Me e ndryshu bilancin tregtar negative kronik (-50% GDP në vit) duhet bizese të mëdha.

Andaj, kjo qasje ekonomike që as Lenini po të ishte gjallë nuk e kishte aplikuar në kushtet e shekullit 21, nuk ka mundësi të mbijetojë.

Me siguri do të shkatërrohen ata që e promovojnë. Ata që po e sulmojnë dorën që e ushqen arkën e shtetit. Ata që po punojnë me i paguar pagat e mjekëve, mësuesëve dhe policëve. Ata që po paguajnë pagën dhe koktejet në ballkonin e qeverisë. Një mendësi bizzare ekonomike. Habia e botës.

Të ngjashme