Merret vendimi: Opozita e bashkuar përballje me Ramën në Kuvend

Prishtinë | 11 Pri 2018 | 13:40 | Nga

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi takoi këtë të mërkurë, liderin demokrat Lulzim Basha, një takim i mbajtur në selinë blu.

Zonja Kryemadhi ishte e shoqëruar nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, e biseda mes tyre ka zgjatur përreth një orë. Ditën e nesërme, të enjten, Kuvendi i Shqipërisë do të mbajë seancën e radhës plenare, e në kuadër të kësaj, opozita e bashkuar, u takua për të vendosur një qëndrim të përbashkët mbi zhvillimet e ditës së enjte.

Burime nga ky takim thonë se opozita do të jetë nesër e pranishme në Kuvend, dhe nuk do të ketë bojkot, por përballje me kryeministrin Edi Rama. Para pak ditësh LSI kërkoi përjashtimin e Edi Ramës me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, për shkak të ofendimit që ai i bëri shqiptarëve duke i krahasuar me organin gjenital mashkullor, kur tha se popullit nuk i ngrihet.

Kjo deklaratë u bë në Kuvend, para se kuksianët dhe shoqëri civile të ngrihesh në protestë, kundër taksës së dyfishtë për kalimin e automjeteve në rrugën e Kombit. Taksë e cila pas protestës u pezullua deri në një vendim të dytë, që ka të bëjë me përcaktimin e një vlere më të vogël tarife për banorët e zonës.

Opozita ka nisur protesta kundër qeverisë së Edi Ramës, për shkak të taksës së Rrugës së Kombit, dhe rritjes së taksave që kanë nisur nga prilli, në atë që opozita e quan mosbindje civile.

Të ngjashme