Mësimdhënësit protestues i cilësojnë legjitime kërkesat e tyre, presin angazhim nga qeveria

Prishtinë | 08 Sht 2018 | 14:39 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ismajl Hoti, arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në shkollën fillore “Shote Galica” në Drenas, pjesëmarrës në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, tha për Ekonomia Online se ka dalë të protestojë për shkak se koeficienti i pagës së mësimdhënësve, sipas tij, është shumë i vogël.

Ai tha se pret angazhimin e qeverisë për rritjen e këtij koeficienti.

“Sot kemi dalë të protestojmë të gjithë mësimdhënësit, përkatësisht kryetarët e sindikatave të mësimdhënësve, për koeficientin që momentalisht nga qeveria është shumë i ulët, kështu që kërkojmë ngritje të koeficientit”.

“Kjo gjendje e mësimdhënësve në këtë kohë, është me të vërtetë katastrofale, prandaj kërkojmë që të rritet ky koeficient dhe besoj që qeveria ta ketë parasysh këtë çështje”.

“Presim angazhimin e qeverisë, angazhimin e gjithë shoqërisë. Arsimtari duhet ta ketë vendin e vet meritor”.

Hoti tha se nëse nuk realizohen kërkesat e mësimdhënësve, ata do të vazhdojnë me protesta.

Ndërkaq Pashk Gecaj, nga sindikata e Komunës së Gjakovës, u shpreh i pakënaqur edhe me gjendjen e çështjes së mësimdhënësve të viteve të 90-ta.

Sipas Gecajt, mësimdhënësve duhet t’u paguhet puna edhe para luftës.

“Jemi këtu se qeveria dhe stafi i qeverisë nuk ka lëvizë për përmirësimin e çështjes së mësimdhënësve të viteve të 90-ta si dhe është çështja e koeficientit, ku koeficienti është 1.9 që e degradon çështjen e mësimdhënësve”.

“Pikërisht këta që janë në pushtet, kryeministri dhe ministrat kanë qenë produkt i joni, prandaj mendojmë që nuk është mirë ta anashkalojnë punën tonë, që kemi punuar në okupim. Arsimi atëherë e ka treguar veten, prandaj nuk është mirë të na anashkalojnë në këto situata, kur punonjësit e arsimit, disa janë pensionuar, disa presin të pensionohen dhe të marrin pagën jo kontributdhënëse, nuk njihen vitet e punës së tyre, 15 vite para lufte. Ata marrin vetëm pensionin kontributdhënës, nuk e merr pensionin e pleqërisë, sikur ata që s’kanë punu fare”.

Edhe Gecaj tha se mësimdhënësit nuk do të ndalen deri në plotësimin e kërkesave, të cilat, sipas tij, janë legjitime dhe duhet të plotësohen nga qeveria.

“Ne do të bëjmë përpjekje vazhdimisht, nuk do të ndalemi. Dashtë zoti të na plotësohen kërkesat tona që janë kërkesa legjitime dhe duhet të na i plotësojnë”.

Të ngjashme