Atë nuk mundet ta konsiderojë kurrë si “armik”, pasi kaluan një periudhë tejet pozitive në fushat e blerta së bashku, por duket se nuk e quan më as “mik”, teksa është shprehur së fundi se largimi i tij i ka dhënë më shumë ekuilibër Barcelonës.
“Largimi i Neymar na detyroi të ndryshonim stilin e lojës sonë. Humbëm një lojtar me cilësi në fazën sulmuese, por kjo na ka ndihmuar të jemi më të fortë në fazën mbrojtëse. Për momentin jemi shumë mirë të organizuar në mesfushë, kemi shfaqur më shumë ekuilibër, e kjo gjë na bën edhe më të fortë në mbrojtje”, është shprehur Lionel Messi.
Në intervistën që ka dhënë për revistën “World Soccer”, ylli argjentinas thur lavde edhe për Samuel Umtiti.
“Duket sikur stërvitet edhe kur luan, ndërsa jep gjithçka në fushën e lojës. Jashtë fushe mund të them se është një person i shkëlqyer. Nuk e njihja më parë, por duke parë sesi stërvitet nuk më bën habi ajo që bën në çdo ndeshje”, deklaron më tej “pleshti” i Barcelonës.
E teksa e kanë pyetur në lidhje me Realin e Madridit dhe krizën e rezultateve që po kalojnë madrilenët, Messi flet edhe për Cristiano Ronaldon, transmeton TCH.
“Kjo situatë e Realit është diçka e përkohshme. Nuk është hera e parë që ndodh në Madrid, por besoj se në fund do të luftojmë për të gjitha objektivat e mbetura”, shprehet ai
Sa i përket rivalit të përjetshëm… “Nuk di të them nëse jemi miq, pasi miqësia është diçka që ndërtohet me kalimin e kohës. Me Ronaldon nuk kam marrëdhënie, përveçse kur takohemi në ceremonitë e nderimeve sportive”.
Në fund, Messi veçon Manchester Cityn dhe Paris SG si skuadrat më pretendente për të fituar Champions Leaguen e këtij sezoni, “pa harruar se janë edhe Bayern Munchen dhe Reali në lojë”.