MFSK: Sulmet mbi pjesëtarët serbë të FSK-së, akte kriminale dhe të dënueshme

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 16:29 | Nga

Të premten në mbrëmje dhe të shtunën në mëngjes, në pjesën veriore të Kosovës ka pasur sulme me koktej mollotov në  pasuri (djegie e makinave) të familjeve të pjesëtarëve të komunitetit serb që janë pjesëtarë të Forës së Sigurisë së Kosovës (FSK), transmeton Ekonomia Online.

Ministria e FSK-së ka dënuar këto sulme duke i quajtur ato kriminale, të cilat sipas saj po bëhen nga qarqe kriminale në pjesën veriore të Kosovës për t’i frikësuar pjesëtarët e FSK-së.

“Këto akte kriminale bëhen me qellim që të frikësojnë pjesëtarët e FSK-së, nga qarqet kriminale dhe nacionaliste serbe  në pjesën veriore, të cilat shprehin urrejtje dhe pa pajtueshmëri me integrimet, zhvillimin e demokracisë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës”, thuhet në një reagim për medie nga MFSK.

“Ministria e FSK-së dhe FSK qëndrojnë fuqishëm në  mbështetje të pjesëtarëve të saj, të cilët përkundër  kërcënimeve dhe dëmtimeve reale  të pasurisë së tyre, vazhdojnë të jenë pjesë e FSK-së dhe të shërbejnë me dinjitet në kryerjen e obligimeve të tyre si pjesëtarë  të FSK-së”.

MFSK-ja kërkon nga institucionet shtetërore të Kosovës, Policia e Kosovës dhe KFOR-i, që të angazhohen seriozisht, me tërë fuqinë e ligjit, që të dalin në mbrojtje të jetës dhe pasurisë së pjesëtarëve të FSK-së, që të lihen të lirë  të realizojnë të drejtat e tyre si qytetarë dhe si njerëz të lirë  në përzgjedhjen e perspektivës së tyre jetësore.

“Kosova dhe organet e saj vendore dhe ndërkombëtare, duhet të garantojnë liri dhe siguri të plotë për të gjithë qytetarët, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë, që të realizojnë të drejtat e tyre qytetare, të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi”, përfundon komunikata.

LEXO EDHE:

http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/siguri/digjet-vetura-e-pjesetarit-serb-te-fsk-se/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme