MIE: Ministrja Hoxha mbetet e përkushtuar në realizimin e marrëveshjes për programin YCS

Prishtinë | 08 Gus 2019 | 17:02 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Integrimit Evropian, demanton lajmin e publikuar më datë 8.8.2019, nga “Koha.net” me titull “Shoqëria civile: Vendimet e kundërligjshme të ministres në dorëheqje Dhurata Hoxha, rrezikojnë të ardhmen e të rinjve”.

Dëshirojmë të informojmë opinionin publik që Ministria e Integrimit Evropian (MIE) realizon konkurse për punësim në pajtueshmëri me legjislacionin në fuqi që rregullon procedurat e punësimit të shërbyesve civilë në bazë të planit të personelit të miratuar nga Ministria e Administratës Publike (MAP) dhe Ministria e Financave (MF). Në këtë drejtim, është e nevojshme të qartësohet se hapja e konkursit për shërbyes civil nuk është në kuadër të kompetencave të Ministres.

Më tej, dëshirojmë të qartësojmë për publikun se në kuadër të marrëveshjes me Bashkimin Evropian rreth Skemës së Profesionistëve të Rinj -Young Cell Scheme (YCS) për këtë vit, dhe në bazë të planit të personelit të miratuar nga MAP dhe MF, MIE ka rezervuar 7 pozita të lira për të diplomuarit e kësaj skeme ashtu siç ka bërë në vazhdimësi. I njëjti përkushtim i Ministrisë së Integrimit Evropian i është transmetuar rregullisht edhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të Ministres Hoxha, për vitin 2018, akomodimi i të diplomuarve nga YCS është arritur në nivelin 100% në përputhje me marrëveshjen me BE-në.

Po edhe këtë vit, ne synojmë të arrijmë cakun e njëjtë gjë që nënkupton që të gjithë të diplomuarit nga YCS do të mund të punësohen brenda institucioneve publike pas kthimit të tyre në Kosovë.

Rikujtojmë që qëllimi i programit YCS është ngritja e kapaciteteve për shërbimin civil në institucionet publike. Në këtë drejtim, MIE iu është drejtuar të gjitha institucioneve publike përmes një shkrese ku ka kërkuar t’u jepet prioritet punësimit të sapo diplomuarve nga programi YCS, në kuadër të konkursit për shërbyes civil.

Ministrja Hoxha, gjegjësisht Ministria e Integrimit Evropian, mbetet e përkushtuar në realizimin e marrëveshjes për programin YCS si një prej programeve më të suksesshme në reformimin e administratës publike dhe ngritjes së kapaciteteve të shërbimit civil.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme