Milaim Zeka flet pas gjykimit: Me pasë mashtru unë dikë, e kisha vra veten

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 10:57 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka folur për Ekonomia Online pas shqyrtimit fillestar në gjykimin e tij dhe Ilir Krasniqi e Edmond Kërliu.

“Si ka mundësi, qe një vjet merret prokuroria e policia me emrin e Milaim Zekës dhe nuk arritë me gjet ende dëshmitarë që ma përmend emrin për të keq, një njeri që Milaim Zeka m’ka mashtru ose për viza, e ai mashtrues është Ilir Krasniqi,” ngritë dilemën vetë deputeti Zeka.

Ai vazhdon të pretendojë se po i bëhet një e padrejtë për ta denigruar moralisht.

“Qëllim i krejt këtij procesi është veç denigrimi moral, se juridik nuk mundet me ndodhë as në shtetet diktatoriale. Fakte as nuk ka, as nuk ka me pasë, se në jetën time nuk i kam borxhe askujt dhe nuk e kam mashtru në mënyrë absolute askënd,” shprehet Zeka, për Ekonomia Online.

Ai e quan absurde edhe akuzën ndaj Edmond Kërliut.

“Është e dhimbshme të akuzohet Edmond Kërliu, pse unë kam blerë banesë me konto tem. Nëse unë veç andërr me pas pa me mashtru dikend, jo për vizë, po për çfarëdo mashtrimi e kisha vra veten. Kjo është krejt për shkak të temave që i kam ngrit, e që kanë të bëjnë me Telekomin, KEK-un,” është shprehur deputeti Zeka.

Deputeti Milaim Zeka dhe dy të akuzuarit e tjerë janë deklaruar të pafajshëm kundrejt aktakuzës për mashtrim e pastrim të parave.

Sot u mbajt shqyrtimi fillestar në gjykimin e deputetit të NISMA Socialdemokrate, Ilir Krasniqi dhe Edmond Kërliu.

Të tre këta në këtë seancë u deklaruan se nuk e ndiejnë veten fajtorë për veprat për të cilat akuzohen.

Kujtojmë se herën e kaluar kishte dështuar mbajtja e kësaj seance gjyqësore për arsye se në atë kohë Milaim Zeka ndodhej në paraburgim në lidhje me një rast tjetër, ku ai dyshohet për kanosje ndaj një prokurori.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, kundër të pandehurve Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, për veprat penale mashtrimi, shmangia nga tatimi si dhe për veprën penale pastrimi i parave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin si agjenci punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme