Minatorët dhe punëtorët e Trepçës kanë paralajmëruar protesta pas dërgimit të Draft Statutit në Kuvend pa vërejtjet e tyre.
Sipas një njoftimi dërguar kryeministrit,ky i fundit nuk ka përmbushur premtimin se në Kuvend do të dërgoj dy versionet e Draft Statuti për Trepçën.
Andaj sipas minatorëve, gjendja në Trepçë nuk është e mirë.
“Po ju njoftoj se gjendja aktuale në Trepçë nuk është e mirë për arsye se kërkesat dhe vërejtjet tona nuk janë marrë parasysh nga Bordi I Trepçës dhe Qeveria e Kosovës, ku ne mendoj që këto kërkesa dhe vërejtje kanë të arsyeshme dhe vetëm iu sjellin të mira dhe i hapin rrugë zhvillimit ekonomik. Minatorët dhe punëtorët e Trepçës janë të zhgënjyer me qasjen e Bordit të Trepçës”.
“I nderuar Kryeministër nga ju është premtuar që të dy versionet e Draft Statutit për Trepçën t`ju dërgohen parlamentit por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe minatorët janë shumë të shqetësuar për këtë situatë të krijuar dhe nuk përjashtohet eskalim i situatës ku und të shkoj drejt protestave apo grevës së përgjithshme. Ne jemi të gatshëm që të gjitha problemet t`i zgjedhim me dialog”, thuhet në njoftimin dërguar medieve.
Në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur muajin e kaluar, kabineti qeveritar ka miratuar propozimi i Bordit Mbikëqyrës për statutin e shoqërisë aksionare Trepça.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se për shkak që lidhur me draftimin e këtij statuti ka vërejtje nga sindikatat e punëtorëve të Trepçës, propozon që të procedohet draft statuti i propozuar nga Bordi Mbikëqyrës, ndërsa komentet e sindikatës të shërbejnë si informata shtesë.
Miratimin e këtij statuti e ka quajtur historike kryeministri Haradinaj, raporton Ekonomia Online.