Ministri i Arsimit uron nxënësit me rastin e përfundimit të gjysmë vjetorit të parë

Prishtinë | 29 Dhj 2017 | 16:03 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka uruar të gjithë nxënësit me rastin e përfundimit të gjysmë vjetorit të parë.

Ai përmes një urimi në Facebook, ka thënë se ajo çfarë po synon është një shkollë cilësore, një arsim cilësor, me të cilin Bytyqi tha do të jenë konkurrues me vendet e zhvilluara jo vetëm në arsim, por në të gjitha fushat tjera të jetës.

Urimin e plotë të ministrit :

“Të nderuar mësimdhënës, Të dashur nxënës,
Me rastin e përfundimit të gjysëmvjetorit të parë, dëshiroj të ju falënderoj për punën që keni bërë së bashku, për arritjen e rezultateve sa më të mira në mësime dhe për përkushtimin tuaj për të ngritur performancën në mësimdhënie dhe mësim-nxënie.
Kjo është ajo që po synojmë të gjithë, pra një shkollë cilësore, një arsim cilësor, me të cilin do të mund të jemi konkurrues me vendet e zhvilluara jo vetëm në arsim, por në të gjitha fushat tjera të jetës.
Jam i bindur se, gjatë gjysmë vjetorit të dytë do të punoni edhe më shumë që fundi i vitit shkollor të na japë një rezultat për t’u krenuar.
Me këtë rast, mësimdhënës dhe nxënës të dashur, ua uroj edhe Vitin e Ri, juve dhe familjeve tuaja, me dëshirën që të keni shëndet e suksese gjatë vitit 2018″.

Të ngjashme