Ministri Bytyqi priti të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Luksemburgut

Prishtinë | 09 Tet 2017 | 13:13 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në fushën e arsimit, si dhe mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Ministri Bytyqi, ka falënderuar  Anne Dostert për mbështetjen që Qeveria e Luksemburgut i ka dhënë Kosovës në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve edukativo-arsimore dhe theksoi nevojën e mbështetjes së mëtejme, me qëllim të avancimit të arsimit, e në veçanti të arsimit dhe aftësimit profesional.

“Është mirë që gatishmëria e juaj për të vazhduar me projekte të reja në arsim është në përputhshmëri të plotë me objektivat dhe prioritetet tona që kanë për synim zhvillimin e kompetencave dhe aftësive profesionale të nxënësve tanë konform standardeve bashkëkohore, që të jenë konkurrues të denjë në tregun vendor dhe evropian të punës”, theksoi ministri Bytyqi.

Nga ana e saj, Anne Dostert tha se, Qeveria e Luksemburgut do të vazhdojë me projektin e ri në mbështetje të arsimit profesional, njëherësh bëri të ditur se me këtë projekt, i cili do të zgjasë katër vite, planifikohet shtrirja veprimtarisë jo vetëm në Qendrat e Kompetencës në Ferizaj dhe Prizren, por edhe në Qendrat tjera të Kompetencës në Kosovë, si dhe në institucionet arsimit të mesëm profesional.

Në këtë takim u fol edhe për nevojën e bashkëpunimit me ndërmarrje private në aspektin e zhvillimit të mësimit teorik, si dhe për qëndrueshmërinë financiare të Qendrave të Kompetencës.

Të ngjashme