Ministri i FSK-së: Me buxhetin aktual, ushtrisë i duhen 10 vjet të arrijë kapacitetet operacionale

Prishtinë | 24 Tet 2017 | 10:48 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritja e kapaciteteve ushtarake, integrimi i komuniteteve joshumicë dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal, janë disa nga prioritetet e ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, që i prezantoi para komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së.

Ministri Berisha tha se gjendja në FSK është e mirë dhe se është bërë një punë e mirë.

“Në bazë të përshtypjeve të para gjendja që e kemi gjetur është e mirë. Është bërë një punë e mirë, në avancimin e kapaciteteve ushtarake, integrimin e komuniteteve joshumicë, në veçanti të komunitetit serb, thellimin e bashkëpunimit rajonal”.

Ai foli edhe për transformimin e FSK-së në forca të armatosura. Berisha tha se janë duke u munduar që të kompensojnë kohën e humbur, ngase ushtria është dashur që të bëhet qysh në vitin 2014, raporton Ekonomia Online.

Por sipas tij, me buxhetin aktual pas vendimit për transformim do të duhen edhe 10 vite të arrihen kapacitetet operacionale.

“Bazuar në mandatin që e ka FSK-ja e ka përmbush mandatin dhe ka përmbush kapacitete për mandatin që ka kjo forcë dhe është pothuajse e gatshme për t’u transformuar në FSK që nga viti 2014”.

“Sa i përket pajisjeve të armatimit janë të planifikuara mirë nga ekspertët tanë dhe ndërkombëtarë, por ajo që do të ndodh në të ardhmen edhe pas marrjes së vendimit politik për t’u arritur kapacitete operacionale është një periudhë paraprake varësisht prej buxhetit. Ne e kemi paraparë që kjo periudhë të jetë një periudhë 10-vjeçare. Sigurisht që edhe mund të zvogëlohet, mirëpo varet prej buxhetit. Sa i përket standardeve ajo është e vetëtuar edhe nga NATO që i ka të gjitha standardet”.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi tha se pret që kjo çështje të merret seriozisht dhe se është i nevojshëm një trajtim krejt ndryshe sa i përket buxhetit.

“Opozita ka mbështetur edhe ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me FSK-në edhe ndryshimet kushtetuese të njëjtën gjë do të bëjmë. Por shpresoj që qeveria të mos bëjë atë që ka bërë qeveria e kaluar në çështjen e seriozitet. Është shumë i nevojshëm një trajtim krejt ndryshe buxhetor”, tha Selimi.

Zoran Mojsiloviq, nga Lista Serbe, tha se sa i përket integrimit të komunitetit serb në FSK, kjo është çështje politike, por që shpreson që të gjendet një gjuhë e përbashkët.

“Sa i përket integrimit të komunitetit serb në Forcat e Sigurisë ko do të jetë pjesë e një procesi politik dhe çdo gjë do të ndodh në veri do të pjesë e procesi polik, por shpresoj që do të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Ju me këta do të gjeni shumë me lehtë sepse jeni shokë lufte”, u shpreh ai.

Të ngjashme