Ministri Lluka takohet me Ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett

Prishtinë | 07 Shk 2019 | 18:32 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, priti në takim njoftues Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett, i cili ishte i shoqëruar nga Lori Michaelson dhe William Trigg, me të cilin diskutuan rreth zhvillimeve në sektorët të cilat i mbulon Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ministri Lluka e falënderoi ambasadorin Kosnett për vizitën dhe e informoi rreth zhvillimeve në sektorin energjetik, me theks të veçantë në termocentralin “Kosova e Re”, si dhe në sektorët e minierave dhe të teknologjisë informative.

“Prioritet i ministrisë së zhvillimit ekonomik është që deri në vitin 2023 të mbyllet termocentrali “Kosova A”, të rehabilitohet termocentrali “Kosova B” si dhe të fillohet me prodhimin e energjisë nga termocentrali “Kosova e Re”, tha ministri Lluka. “Kjo, do të përmirësoi ambientin në Kosovë duke zvogëluar dukshëm emitimet e ndotëseve si dhe do të krijoj stabilitet në prodhim të energjisë, duke përmirësuar furnizimin edhe për bizneset vendore” shtoi Lluka.

Si pikë e rëndësishme e këtij takimi ishte edhe sektori minerar, ku kreu i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik e njoftoi ambasadorin amerikan rreth rëndësisë së këtij sektori në zhvillimin ekonomik të vendit. Fokusi i kësaj teme padyshim që ishte Trepça dhe zhvillimi i Trepcës si dhe 11 zonat me interes të veçantë që kanë potencial për të tërhequr investime amerikane në Kosovë.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme