Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka mbajtur një takim virtual me përfaqësuesit e USAID-it për Kosovë, të kryesuar nga Udhëheqësja për Sektorin Privat në Zyrën Ekonomike, Besa Ilazi, me të cilët kanë diskutuar projekte konkrete dhe për vazhdimin e bashkëpunimit në sektorin e bujqësisë, përmes investimeve në projekte të reja.
Në këtë takim u bisedua për hapat konkret drejt evidentimit të barrierave nëpër të cilat përballen prodhuesit vendor siç janë: qasja në tregje, sofistikimi i bizneseve në zhvillimin e proceseve dhe operacioneve të brendshme, diagnostifikimi financiar, kualifikimi i fuqisë punëtore, si dhe përmirësimi i ambientit të të bërit biznes. Në kuadër të projektit në fjalë, prodhuesit vendor do të kenë mundësinë që të bashkëpunojnë me biznese të diasporës sonë në shtetet si Austria, Zvicra dhe Gjermania.
Ministri Faton Peci i vlerësoi shumë të rëndësishme zgjidhjet konkrete, të cilat sjellin matje konkrete të efikasitetit të politikave zhvillimore sektoriale për sektorin e bujqësisë si dhe i njoftoi për avancimin e legjislacionit dhe hartimit të strategjisë së dikasterit që ai udhëheq. Andaj me zhvillimin e politikave të duhura ndërqeveritare mund të ndërmerren hapa real në zhvillimin ekonomik të vendit, përmirësimin e bilancit tregtar si dhe rritjen e potencialit tregtar të distribuimit të prodhimeve vendore.
Ministri Peci u shpreh më se i gatshëm që të vijojë bashkëpunimin e mëtutjeshëm në mënyrë që të prioritizohen produktet e fermerëve, si në tregun vendor ashtu edhe në tregjet e jashtme.