Ministria e Drejtësisë ka kërkuar falje “për shqetësimin e krijuar” në publik pas dezinformimit që bëri të mërkurën, kur njoftoi se është ngritur aktakuzë kundër dhjetë zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga QKUK-ja.
Përmes një komunikate për media, Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar se ministria ka keqkuptuar një njoftim nga prokurori Lulzim Sylejamni, i cili në fakt vetëm ka njoftuar se janë duke u zhvilluar hetime që mund të rezultojnë me aktakuzë.
“Ministria e Drejtësisë sqaron opinionin publik se njoftimi i dërguar dje për ngritje të aktakuzës, kundër disa zyrtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës ka qenë keqinterpretim”, thuhet në sqarimin e ministrisë dërguar medieve të enjten.
“Ministria e Drejtësisë, ka pranuar një shkresë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ku është informuar për hetimet apo ndjekjen penale të disa zyrtarëve të këtij institucioni. Kjo shkresë është keqinterpretuar se gjoja ndaj tyre është ngritur aktakuzë”, thuhet në sqarimin e ministrisë të dërguar të enjten medieve,” thuhet tutje në sqarim.
“Zyra për Media e Shërbimit Korrektues të Kosovës kërkon falje për shqetësimin e krijuar”.