Ministria e Shëndetësisë shpall tender në vlerë 50 mijë euro për furnizim me pemë e perime

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender në vlerë prej rreth 50 mijë euro për furnizim me pemë dhe perime për Shtëpinë e Personave të Moshuar në Prishtine, Institutin Special ne Shtime dhe Shtëpinë e Fëmijëve në Shtime.

Përmes njoftimit për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, MSh’ja ka njoftuar se këto institucione kanë nevojë për t’u furnizuar domate, groshë, brokoli, lakër të freskët, lulelakër, majdanoz, spinaq, bizele, qepë, hudhër, speca, tranguj, kungulleshka, presh.

Në njoftimin e publikuar në KRPP, thuhet se këto institucione do të furnizohen edhe me banane, limon, molla, portokaj, dardha, dredhëza, kumbulla, mandarina, pjepër, shalqin, kivi dhe rrushë.

Vlera e parashikuar e kontratës për të gjitha këto furnizime është 49 mijë e 952 euro.

Të gjitha kompanitë e interesuara për këtë tender, kanë afat që t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri më 1 qershor në ora 14:00, në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në bazë të aplikacioneve të pranuara, më së shumti 6 kandidat do të ftohen për të dorëzuar tenderët e detajuar të kësaj kontrate. Nëse më shumë se 6 kandidat të përshtatshëm i plotësojnë kriteret e mësipërme të përzgjedhjes, përparësitë dhe dobësitë relevante të aplikacioneve të këtyre kandidatëve do të riekzaminohen për të identifikuar gjashtë aplikacionet më të mira për procedurën e tenderit”, thuhet në njoftimin e publikuar në KRPP. 


Të ngjashme