MINT pranoi 1200 ankesa vjet nga konsumatorët – Hajdari: Jemi vigjilentë ndaj nevojave të konsumatorit, synojmë çmime të ulëta

Prishtinë | 17 Mar 2023 | 17:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka organizuar konferencë për “Javën për Mbrojtjen e Konsumatorit”, me ç’rast u potencuan nevojat e konsumatorit, si dhe rëndësia e çmimeve të ulëta dhe e produkteve cilësore, raporton Ekonomia Online.

Ministrja Rozeta Hajdari, tha se ministria që ajo udhëheq është vigjilente në këtë aspekt e se prioritet ka krijimin e një ambienti tregtar, shërbyes e konsumues sa më të sigurt për konsumatorët.

Ajo tha se Qeveria e Kosovës ka miratuar një sërë ligjesh në lidhje me mbrojtjen e konsumatorëve.

“Ne po e shënojmë këtë ditë jave ndërkombëtare që na përfshin të gjithëve, qytetarët, bizneset dhe të gjithë shtresat e tjera dhe grupet tjera të shoqërisë tonë. MINT ka një detyrim të veçantë për të qenë vigjilent ndaj nevojave të konsumatorit dhe për të çuar përpara nevojat e konsumatorit. Krijimi i një ambienti tregtar, shërbyes e konsumues me çmime të përshtatshme, me cilësi të sigurt me produkte inferiore, janë objektivi ynë, sepse në të kundërtën rrezikojmë që paraja e tij të rrezikohet, shëndeti, siguria dhe interesi kombëtar të kërcënohet. Për të fuqizuar të drejtën e konsumatorit ne kemi miratuar ligje e udhëzime administrative që mbrojnë atë. MINT ka zgjedhur edhe shumë udhëzime administrative për mbrojtjen e konsumatorit”, tha ajo.

Ajo tha se qeveria ka miratuar edhe programin për mbrojtjen e konsumatorit 2021-2025 që ndërmerr veprime konkrete në teren.

“Ne Kemi miratuar në Qeveri edhe programe të tjera. Është programi për mbrojtjen e konsumatorit 2021-2025 që ndërmerr veprime konkrete në teren. Ministria si prioritet ka fuqizimin e konsumatorëve, t’i mbroj interesat ekonomike të tyre si dhe ti mbrojë ata nga rreziqet”, tha ajo.

Ndërsa, kryesuesja e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit, Safete Rexhepi, tha se gjatë vitit 2022 në Inspektoriatin e Tregut janë pranuar mbi 1200 ankesa, nga të cilat 1127 janë zgjedhur.

Sipas saj, nga numri i ankesave të trajtuara ka rezultuar se 74% e rasteve janë konsideruar të bazuara dhe janë zgjedhur në favor të konsumatorëve.

“Ky këshill është formuar në muajin mars të viti 2022 dhe përbëhet nga 13 anëtarë që përfaqësojnë institucionet e ndryshme. Këshilli harton dhe mbikëqyr implementimin e programit për mbrojtjen e konsumatorit. Propozon plotësim-ndryshimin e programeve. Merr pjesë në hartimin e politikave për mbrojtjen e konsumatorëve. Nga aktivitetet tona ka rezultuar në zgjedhje të shumta prej ankesave. Gjatë viti 2022 Inspektorati i Tregut ka pranuar 1239 ankesa të konsumatorëve, prej të cilave 1127 janë zgjedhur, ndërsa 112 janë në proces të zgjedhjes ose janë refuzuar si të pa kompletuara. Nga numri i ankesave te trajtuara ka rezultuar se 74% të rasteve janë konsideruar të bazuara dhe janë zgjedhur në favor të konsumatorëve, 23% të rasteve pas trajtimit kanë rezultuar se ankesat ishin të pakompletuara, 3% e ankesave janë refuzuara”, tha ajo.

Të ngjashme