MINTI intensifikon kontrollet në tregun e produkteve të qumështit, paralajmëron masa ndëshkuese

Prishtinë | 05 Maj 2026 | 18:18 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka intensifikuar kontrollet në tregun e produkteve të qumështit.

Sipas njoftimit, ky veprim është ndërmarrë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe rritjes së transparencës në treg. Deri më tani janë realizuar 7 inspektime në 4 qytete të ndryshme të Kosovës, ku 6 raste janë në procedurë dhe 1 është mbyllur.

MINTI ka rikujtuar operatorët ekonomikë për obligimet ligjore që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e konsumatorit dhe tregtinë e brendshme.

“Çdo produkt duhet të ketë deklaracion të qartë, të lexueshëm dhe të dukshëm në gjuhët zyrtare, duke specifikuar saktë përbërjen e tij”, thuhet në njoftim.

Në këtë kuadër, kërkohet që produktet të jenë të kategorizuara qartë si: produkte me bazë shtazore, produkte me bazë bimore apo produkte me bazë të qumështit pluhur.

Po ashtu, subjektet që shesin me pakicë obligohen të sigurojnë ndarjen e qartë të produkteve në rafte sipas kategorive përkatëse.

“Subjektet që ushtrojnë shitje me pakicë janë të obliguara të sigurojnë ndarjen dhe prezantimin e qartë të produkteve në rafte”, theksohet më tej.

MINTI ka paralajmëruar se inspektimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe se mosrespektimi i kërkesave ligjore do të sjellë masa ndëshkuese.

“Në rast të mosrespektimit të kërkesave ligjore për etiketimin dhe ndarjen fizike të produkteve, operatorët ekonomikë do të përballen me masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, qytetarët janë ftuar të raportojnë çdo parregullsi në treg, duke përfshirë mungesën e deklarimit të qartë të produkteve, edhe me dëshmi përkatëse si fotografi.

Të ngjashme