Para ca ditësh Kuvendi Komunal në Malishevë miratoi draft buxhetin e komunës për vitin 2019.
Siç ka ndodhur tashmë sa vite edhe këtë vit procesi i hartimit të tij u tentua të kaloi formalisht pa pjesëmarrje përmbajtësore të qytetarëve, pa debat paraprak me grupet e interesit, pa konsultim me grupe ekspertësh e profesionistësh, duke tentuar të anashkalohen tërësisht edhe anëtarët e Kuvendit Komunal e sidomos ata të opozitës.
Takimet e proklamuara të komunës me qytetarët ishin hedhje pluhuri syve ndaj publikut se gjoja po merren për bazë nevojat e qytetarëve derisa në njërin nga takimet kryesore që u zhvillua në sallën e Kuvendit komunal ku isha edhe vet pjesëmarrës nuk kishte më shumë se 15 qytetarë, shumica e të cilëve lëshuan sallën vetëm 10 minuta pasi filloi mbledhja në shenjë pakënaqësie për mosinformim nga komuna sepse pothuajse të gjithë të pranishmit ishin aty falë njoftimit që kishim bërë ne si subjekt.
Në këtë takim mungonte Kryetari i Komunës, pjesëmarrësve nuk ju dha as edhe një copë letër e shkruar që ata ta shihnin se cili ishte buxheti dhe çka synohej me të, prezantimin e buxhetit apo më mirë të them leximin e disa shifrave e bëri Drejtori i Financave i cili nuk ishte në gjendje të jepte as informacionin bazë dhe arsyeshmërinë e asaj që ai vet e prezantonte. Prezantimi i tij nuk zgjati më shumë se 3 minuta.
Kaq “serioze” ishte komuna ndaj 14 milion eurove që pritet ti menaxhoi vitin e ardhshëm!
Në ndërkohë në mbledhjen e Kuvendit Komunal të mbajtur me 26 shtator u bë leximi i parë i projekt buxhetit i cili u prezantua njëjtë nga Drejtori i Financave duke lexuar për 3 minuta disa shifra, por pa dhënë asnjë përshkrim mbi objektivat, arsyeshmërinë dhe rezultatet që do sjellë buxheti për vitin 2019.
Për më tepër Kryetari Begaj dhe Drejtori i Financave ishin në gjendje t’i japin përgjigje mbi 15 pyetjeve konkrete mbi shpenzimet e planifikuara në dokumentin e buxhetit.
Andaj, shtrohet pyetja se si është e mundur që zyrtarët kryesorë që menaxhojnë mbi 14 milion euro të taksapaguesve nuk ia kanë idenë se për çfarë qëllimi shkojnë qindra mijëra euro të cilat vet ata thanë se i kanë planifikuar saktë!
Pyetjet që i ngritëm së bashku me kolegët tjerë asamblistë nuk morën përgjigje në këtë mbledhje, por as pas saj dhe as në mbledhjen e fundit të mbajtur me 28 shtator kur edhe u miratua buxheti alternativ i hartuar nga opozita lokale.
Po i përmend vetëm disa prej çështjeve që i shtruam si pyetje: Tek pjesa e mallrave dhe shërbimeve për shumat prej 128,550 euro dhe 60,000 euro që i dedikoheshin shërbimeve të tjera kontraktuese nuk kishte shpjegim dhe as arsyeshmëri nga Drejtori i Financave dhe nga Kryetari se kujt i dedikoheshin këto mjete duke lënë hapësirë për keqpërdorimin e tyre. Mbi 130 mijë euro ishin paraparë në emër të kanalizimeve në shëndetësi gjë që nuk ka logjikë por që me gjithë pranimin e gabimit nga komuna ata nuk ishin në gjendje të shpjegonin se si do rregullohej ky ‘’gabim teknik’’. Apo kur mbi 40 mijë euro ishin paraparë për mirëmbajtje dhe riparim të automjeteve në QKMF, derisa me këto mjete mund të blihen tërësisht të reja dy autoambulanca.
Duke e parë këtë qasje sa arrogante aq edhe neglizhente të qeverisjes Begaj e cila shpërfaqte edhe mungesën e theksuar të profesionalizmit dhe bollëkun e padijes filloi edhe mobilizimi opozitar për të vepruar në drejtim të shqyrtimit të thellë të projekt buxhetit.
Analiza fillestare e draft buxhetit nxori një konkluzion të përbashkët që buxheti i propozuar nga Kryetari Begaj ishte aq kaotik, i çakorduar, diskriminues dhe aq i dobët teknikisht e profesionalisht sa ishte i pamundur të arnohej. Pra, ai duhej ribërë nga fillimi, me një fjalë të hartohej buxhet alternativ i cili i përgjigjet sadopak kërkesave dhe nevojave qytetare.
Andaj, grupe punuese të asamblistëve opozitarë të ndihmuar nga ekspertë e profesionistë lokal, nga qytetarë aktiv të lagjeve e fshatrave pa dallim, për një javë radhazi punuan bashkërisht për ti dhënë formë dhe përmbajtje buxhetit të komunës për vitin 2019 i cili ndonëse është larg të qenit perfekt, ai është pakrahasimishtë më cilësorë dhe më afër nevojave të qytetarëve se sa ai që Begaj me tërë atë armatë drejtorësh, punëtorësh me kontrata në vepër dhe zyrtarë partiak e kishin ‘’shkarravitur’’.
Ku dallon buxheti alternativ i opozitës nga ai i qeverisë Begaj?
Kohezioni ekonomik dhe social: Buxheti i opozitës ka arritur të balancojë nevojat infrastrukturore me ato sociale duke orientuar buxhetin tek rritja e fondit për shujtat për nxënës, ndarjen e mjeteve për nënat me fëmijët e porsalindur, ndërtimin e qendrës për kategoritë e dala nga Lufta e UÇK-së, Renovimin dhe mirëmbajtjen e memorialëve dhe lapidarëve, E-kioskat në Malishevë dhe Kijevë ku qytetarët mund ti marrin disa certifikata në mënyrë automatike dhe gjatë tërë javës në 24 orë, ndërtimin e parqeve në disa fshatra, orientimin e ndërtimit të trotuareve dhe ndriçimit tek qendrat e fshatrave dhe afër shkollave, ndërtimin e çerdhes së fëmijëve në Kijevë që do mbulojë edhe fshatrat Bubavec, Pllaqicë, Golluboc, Mleçan, Stapanicë, Llazicë, Balincë etj, kabinete të kompletuara shkollore dhe fusha sportive në 15 shkolla fillore etj.
Gjithpërfshirja: Mbi 300 lagje të të gjitha fshatrave të Komunës së Malishevës janë përfshirë në investimet infrastrukturo si asfaltim rrugësh, rrugë me kubëza, trotuarë, ndriçim, parqe, ujësjellës.
Zëvendësimi i qasjes ad hoc me atë të planifikuar: Deri me tani investimet e bëra nga komuna dhe ato të planifikuara nuk marrin për bazë asnjë ndikim ekonomik, mjedisor e social, pra më shumë i ngjasojnë investimeve “sot për nesër”. Ndërsa qasja e cila është integruar brenda buxhetit të opozitës synon të orientoi buxhetin kah planifikimi dhe njëri nga treguesit e kësaj qasje është futja në buxhet e hartimit të hartës zonale, dokument i cili ndalë “xhunglën” urbane në Malishevë, duke i harmonizuar dhe standardizuar nevojat socio-ekonomike brenda këtij plani.
Dokumenti i hartuar nga opozita ndonëse me kushte minimale pune është profesionalisht dhe teknikisht shumë më cilësor të cilin e mundësuan vullnetarisht edhe ekspertë dhe profesionistë të lëmive përkatëse dhe si i tillë uroj të shërbejë si model për drejtorin e financave dhe kryetarin Begaj.
Kontribuues në hartimin e buxhetit komunal janë edhe shumë qytetarë të lagjeve dhe fshatrave të komunës së Malishevës të cilët me informacionet e tyre përfshire ato teknike dhe video/ fotografike mundësuan përfshirjen e shumë lagjeve në investimet inrasftrukturore.
Buxheti komunal i miratuar nga opozita nuk është drejtuar kundër askujt, pra nuk ka humbës por vetëm fitues. Të vetmit që mund të konsiderohen humbës janë ata që kanë shpresuar të keqpërdorin paqartësinë e buxhetit për klientelizma dhe tenderomani.
Hapi i radhës:
Kryetari Begaj ka shansin që të tregoj pjekuri politike dhe të dal përtej lëvozhgës partiake dhe inatit provincial duke e konsideruar buxhetin si dokument të shenjtë i cili nuk duhet shkelur dhe as nuk duhet keqpërdorur. Qytetarët presin realizimin e tij pikë për pikë sepse në fund të fundit buxheti i komunës është para publike e paraja publike mbi të gjitha i takon qytetarëve kurse komuna është asgjë ma shumë se sa shërbim i kontraktuar nga qytetarët përmes votës për menaxhimin e buxhetit dhe resurseve publike.
Anëtarët e Kuvendit Komunal, pozitë dhe opozitë së bashku me qytetarët duhet të angazhohen maksimalisht që të sigurohen që zotimet e bëra në buxhet do të zbatohen në praktikë dhe që cilësia e investimeve dhe shërbimeve të rritet rrënjësisht, kurse të mos ketë fare kompromis dhe mirëkuptim me qasjen diskriminuese dhe klienteliste që jemi mësuar ta shohim zakonisht nga qeverisja lokale.
Për fund konsideroj që ajo që ne kemi bërë si anëtarë të Kuvendit Komunal është thjeshtë kryerje e detyrave dhe e obligimit tonë të dhënë nga qytetarët.
(Autori është anëtar i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Malishevës)