Për shkak të mospajtimeve mes pozitës dhe opozitës, Komisioni për Punë të Jashtme nuk e ka miratuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Anëtarët e komisionit nuk u pajtuan për paragrafin 2 të nenit 2 të projektligjit, ndërsa me shtatë vota për, është miratuar grupi punues për shqyrtimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në këtë bord, raporton Ekonomia Online.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, që janë pjesë e këtij komisioni, kanë identifikuar disa gabime në projektligjin e propozuar.
Grupi punues do të kryesohet nga deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, ndërsa anëtarë do të jenë Enver Hoxhaj dhe Barim Shabani.
Kryetarja e Komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se Grupi Parlamentar i LVV-së e mbështet këtë marrëveshje.
“Ne, si grup parlamentar, jemi për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe mendoj se është shumë e rëndësishme që ajo të ratifikohet me votë edhe në Kuvendin e Republikës nga deputetët. Por besoj se duhet ta marrim kohën e nevojshme për t’i bërë këto rregullime, të cilat mendoj se janë shumë të rëndësishme. Fillimisht, sot kisha propozuar që të krijojmë një grup punues, në të cilin do të kemi deputetë, përfaqësues nga të gjitha subjektet politike, dhe ta trajtojmë me urgjencë këtë çështje. Pra, le t’i japim vetes afat aq sa mendojmë se është e nevojshme, të paktën gjatë kësaj jave, sepse e di që ka komisione parlamentare dhe intervistime për anëtarë të bordeve”, tha Kryeziu.
Deputeti Elmi Reçica nga Partia Demokratike e Kosovës kërkoi që kjo çështje të trajtohet me kujdes.
“Së pari, mendoj që kjo është çështje që ka ardhur në komision dhe jemi vonuar shumë, sepse marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos marrëveshjet ndërkombëtare, kërkojnë një trajtim shumë të veçantë dhe specifik. Duke pasur parasysh brishtësinë e shtetit tonë dhe faktin që ende nuk i kemi përmbyllur të gjitha çështjet dhe konfliktet, marrëveshjet ndërkombëtare janë çështje që do të duhej të trajtoheshin me kriter absolut dhe sipas rregullave. Nuk duhet të ndërmerret asnjë veprim para se të ratifikohet kjo marrëveshje në Kuvendin e Kosovës. Duke pasur parasysh edhe shpejtësinë e zhvillimeve, sepse prej kohës kur kjo marrëveshje ka ardhur, gjendja në botë është komplikuar dhe kemi një situatë të paparaparë”, tha ai.
Anëtari i Komisionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, pati kritika për vonesat e procedurave.
“Meqenëse ligji ka ardhur në fillim të prillit këtu, a ka shpjegim pse qeveria nuk ka dhënë vendim deri sot, sepse ky është akt i kryer? Presidentja e ka bërë formalizimin, e ka bërë veprimin konkret. Krejt çka është pritur ndërkohë, për shkak të zhvillimeve politike, është që për dy javë qeveria të vijë në procedurë të rregullt dhe të japë mendim e qëndrim. E di se nuk është lehtë, pasi para anëtarësimit në këtë organizatë, me ftesë, ne do ta kishim humbur mundësinë, sepse këto procedura janë sikur të zgjedhësh mes nënës dhe babës nganjëherë. Vendimi ka qenë jo i lehtë, por është dashur urgjentisht dhe shpejt të veprohet, dhe ka bërë mirë që presidentja ka reaguar, ka marrë pjesë dhe e ka formalizuar pjesëmarrjen”, tha ai.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se kjo çështje do duhej të ishte trajtuar më herët në komision, duke e cilësuar si më të rëndësishme se disa marrëveshje të tjera që janë miratuar me shmangie të procedurave.
“Pajtohem me kolegun që ndoshta është dashur të sillet më herët kjo marrëveshje në këtë komision më pas të procedohet me procedura të përshpejtuara në seancën plenare sepse po shohim plotë marrëveshje janë fut në rend dite me procedura të përshpejtuara duke iu shmangur rendit të ditës ndërsa një marrëveshje me katër nene është dashur qeveria ta ketë opinionin e vet, të ketë edhe një opinion ligjor por nuk e di që ka ndonjë të keqe këtu, kjo vec e forcon subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe jemi pjesëmarrëse në një forum ku ka plot vende që nuk e kanë njoftë pavarësinë e Kosovës dhe ne jemi në atë forum”, tha ajo.
Gjithashtu është miratuar procesverbali nga mbledhja e mbajtur më dhjetë prill 2026.
Komisioni vendosi që grupi punues të mblidhet javën e ardhshme për të harmonizuar dhe dakorduar projektligjin. Kosova ka marrë ftesë për anëtarësim në Bordin e Paqes më 22 janar të vitit 2026.
