Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, së bashku me kryetarin Bekim Jashari kanë marr pjesë në fillimin e punimeve në rrugën Kotorr-Çubrel, raporton Ekonomia Online.
Ministri Lekaj tha se projekte të tilla që kanë synim përmirësimin e jetës së qytetarëve do të vazhdojnë anë e kënd vendit.
“Më vjen mirë qe ne po i realizojmë projektet në zonat më të thella, dhe në për lagje ku ka ndikim drejt për së drejti në përmirësimin e jetës së qytetarëve. Ne jemi të përkushtuar që kudo që është kërkesa e qytetarëve të ju ndihmojmë. Pa e zhvilluar komunën, pa i zhvilluar zonat rurale nuk zhvillohet as shteti. Qëllimi ynë është që t’i prekim zonat më të thella sepse rrugës kryesore janë asfaltuar, dhe mos të mbetet asnjë cep i infrastrukturës rurale pa ndërtuar. Andaj e falendeoj Kryetarin që ka shprehur gatishmërinë ti realizojmë kërkesat e qytetarëve.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, tha se këto zona që nga paslufta janë lënë anash, teksa falënderoi ministrin Lekaj për investimet në ëktë zonë.
“Fatkeqësisht këto zona kanë qenë në baltë që nga koha e pasluftës. Dhe me asfaltimin e këtyre rrugëve po arrijmë që njëherë e përgjithmonë ti heqim nga balta dhe te ia lehtësojmë qytetarëve sidomos gjatë sezonit të dimrit që e kanë pas shumë të vështirë. Pra edhe këta qytetarë duhet të ndihen të barabartë si gjithë të tjerët. Pa dallim të ngjyrave politike qytetarët duhet të ndihen të barabartë”, tha ai.
Rruga Kotorr-Çubrel është e gjatë 8.7 kilometra, që do të kushtojë rreth 430 mijë euro dhe pritet të përfundojë brenda dy vitesh.
Ky vend është një zonë kufitare mes Mitrovicës dhe Zubin Potokut.