Bordi i Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës i ka dhënë përkrahje të plotë Drejtorisë së Inspekcionit për të vënë rend e rregull në rrugën “Vëllezërit Dragaj”, përkatësisht për të larguar nga kjo rrugë shitësit e mallrave të ndryshme, të cilët po e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve.
Duke pas parasysh interesin e bujqve, anëtarët e Bordit u pajtuan që për shitësit e pjeprave, prodhim ky që nuk është shumë i qëndrueshëm dhe mund të prishet shpejtë dhe sezoni i të cilëve zgjat përafërsisht një muaj, të caktohet një lokacion i posaçëm në hapësirën afër xhamisë kryesore në qendër të qytetit.
Pjesa dërrmuese e pikave tjera të rendit të ditës në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve ishin nga fushëveprimi i Drejtorisë së financave, e cila kërkoi nga drejtoritë tjera që t’i sjellin sa më shpejt planifikimet buxhetore dhe propozimet për ndryshimet në rregulloret e caktuara.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, kërkoi që të përgatitet një pasqyrë e realizimit të të ardhurave nga tatimet komunale, në mënyrë që të shihet se ku mund të veprohet dhe qytetarët bizneset të lirohen nga tatimet.
Në takim u caktua orientalist edhe orari i dëgjimeve buxhetore për hartimin e buxhetit të komunës për vitin e ardhshëm, si dhe vendos që të shqyrtohet mirë raporti i auditimit të Zyrës së Auditorit Gjeneral, në mënyrë që të jepen vërejtjet, sugjerimet dhe propozimet eventuale lidhur me këtë.
Anëtarët e Bordit u njoftuan edhe me aktivitetin e Organizatës nga Katari për hapjen e bunarëve, për të cilën u tha se deri tash ka hapur 40 sish, por që për shkak se në dy vende, në Bajgorë dhe Bare, ka dalë ujë i yndyrshëm, punimet janë ndërpre derisa të bëhen analizat e ujit.
Po ashtu, në këtë takim u bisedua edhe për dëmet që janë duke i shkaktuar arushat në Shalën e Bajgores dhe për masat që duhet ndërmarrë për evitimin e këtyre dëmeve.