Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferat Shala, dhe kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për investim në rregullimin e digës së liqenit në Mirushë.
Shuma e ndarë nga kjo ministri është 55 mijë euro, ndërsa pjesa tjetër e investimit do të mbulohet nga Komuna e Malishevës.
Këtë përkrahje të kësaj ministrie, e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.
“Diga në liqenin në Mirushë, ishte dëmtuar për shkak të dy vërshimeve të mëdha që patën ndodhur në territorin e Komunës së Malishevës, e si pasojë e këtyre vërshimeve, diga kishte pësuar dëmtime të rënda”.
“Riparimi i digës, bëhet me qëllim evitimit të rrezikut të mundshëm të shpërthimit të saj, e që do të kishte pasoja të mëdha për fshatrat poshtë liqenit, si Mirusha, Lumnishta, Turjaka e Bubli”, thuhet në njoftimin e kësaj komune.
Komuna e Malishevës, gjatë vërshimeve në janar të këtij viti, kishte pësuar dëme të mëdha, të cilat ishin llogaritur në afro një milion euro, por dëmtimi i digës së liqenit, paraqiste rrezik të madh.
Po ashtu, Shala ka nënshkruar marrëveshje për disa projekte me Komunat e Ferizajt dhe Fushë-Kosovës
Sipas Marrëveshjes me kryetarin e Komunës së Ferizajt, Muharrem Sfarqa, MMPH do të investoj në ketë komunë 66 mijë euro në projektin: “Rregullimi i Lumit në Fshatin Terne- Nerodime”;
Në Komunën e Fushës Kosovës MMPH do të investojë 150 mijë euro në projektin: “Ndërtimi dhe Rregullimi i Lumit Sitnica”, sipas marrëveshjes së nënshkruar me kryetarin e kësaj komune Burim Berisha.