Mogherini e Hahn: Parlamenti është vendi ku diskutohen reformat e jo të bojkotohet

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 10:56 | Nga Ekonomia Online

Ndërkohë që mbështetës të opozitës shqiptare janë mbledhur për të protestuar përpara Kuvendit të Shqipërisë, në vazhdën e protestës së pak ditëve më parë përpara Kryeministrisë, një tjetër reagim ndërkombëtar vjen i fuqishëm kundër retorikës nxitëse për dhunë.

“Ne riafirmojmë të drejtën e qytetarëve për të demonstruar paqësisht, si një tipar thelbësor dhe vlerë bazë e demokracisë, por ne dënojmë fuqishëm çdo retorikë nga udhëheqësit politikë që bënë thirrje për dhunë”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini, si dhe Komisionerit të Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet parlamentare pengon seriozisht funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Parlamenti është vendi ku reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të avancohen, e jo të bojkotohet. Këto vendime dhe akte janë antiproduktive, shkojnë kundër zgjedhjes demokratike të qytetarëve shqiptarë dhe minon progresin që vendi ka bërë drejt rrugës për në Bashkimin Europian”, theksojnë Hahn-Mogherini.

Sipas komisionerit dhe kryediplomates europiane, Bashkimi Europian pret nga të gjithë anëtarët e Parlamentit shqiptar që të mbrojnë idealet dhe parimet e demokracisë, të vazhdojnë të shërbejnë në Kuvend dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për të shmangur aktet e dhunës dhe deklaratat nxitëse.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme