Sot në mëngjes në Maqedoni mbisundoi mot i ftohtë me temperatura nën zero dhe me borë në Krushevë dhe Mavrovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM ) në Lazaropole sot në mëngjes është matur temperatura më e ulët prej minus 7 gradë.
Në Krushevë dhe Mavrovë janë matur – 5, në Berovë -4, Ohër -2, Manastir -1, në Tetovë, Strumicë, Kriva Pallankë dhe Vinicë është 0, ndërsa në Kumanovë dhe Shtip 1, në Shkup dhe Demir Hisar 2, në Dojran 4 dhe në Gjevgjeli nga 5 gradë.
Siç njoftoi DPHM, më shumë shi gjatë 24 orëve të fundit ka rënë në Mavrovë, ku janë matur dy, ndërsa në Krushevë dhe Ohër nga një litër në një metër katror.
Në Krushevë dhe Mavrovë sot në mëngjes në orën 08:00 është matur mbulesa e borës prej 1 deri në 3 centimetra.
Paralajmërohet se moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i ftohtë me erë të forcuar veriperëndimore. Në orët e paradites në pjesët veriperëndimore do të ketë borë të dobët lokale.
Në Shkup, moti do të jetë i ngjashëm, me erë të forcuar veriperëndimore dhe me temperaturë deri në 10 gradë.