Moti i ftohtë e rrit çmimin e gazit në Evropë

Prishtinë | 22 Dhj 2021 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Çmimet e energjisë në Evropë u rritën sërish pas rënies së temperaturave dhe uljes poshtë nivelit në më shumë se një muaji të fluksit të furnizimit me gaz natyror nga një tubacion kryesor rus.

Instrumentet derivative të lidhura me TTF, çmimi me shumicë i gazit në Evropë, u rritën në 148.50 euro për MegaWatt, nga një çmim rekord prej 136 euro për MegaWatt në mbyllje të javës së kaluar. Kjo rritje e fundit e çmimit kërcënon të vazhdojë të rrisë faturat e energjisë për miliona familje në të gjithë kontinentin, ashtu sikundër edhe parashikimet e motit tregojnë se do të ketë temperatura nën zero gradë Celsius në disa qytete evropiane.

Kostot e energjisë janë rritur së tepërmi këtë vit pasi ekonomia botërore, e cila ndodhet në fazë rimëkëmbjeje, e rriti kërkesën dhe në Evropë, kërkesa për furnizime shtesë me gaz nga Rusia mbeti pa përgjigje. Çmimet e gazit në Evropë janë rritur me më shumë se 600 për qind që nga janari dhe tani po tejkalojnë nivelet rekord të vendosura në tetor.

Sipas Laurent Ruseckas nga IHS Markit, nivelet e ulëta të rezervave, konkurrenca nga Azia për ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm dhe dyshimet mbi synimet e Rusisë kanë vazhduar të rrisin çmimet në Evropë.

Furnizimi përmes tubacionit Yamal-Europe, një nga tre rrugët që përdor Gazprom-i shtetëror i Rusisë për të furnizuar me gaz natyror Evropën veri-perëndimore, ra në 6 për qind të kapacitetit të shtunën dhe 5 për qind të dielën.

Rruga Yamal përmes Polonisë, e cila është më e vogla nga tre tubacionet, aktualisht është përgjegjëse për afërsisht 10 për qind të furnizimit me gaz rus në Evropën veri-perëndimore, thanë analistët. Megjithatë, rënia e vëllimeve të rezervuara në këtë gazsjellës pati një ndikim të menjëhershëm te çmimi.

“Tregu është në një gjendje shumë të ndjeshme, prandaj kur dalin këto gjëra, çmimet ndikohen në mënyrë të dukshme dhe të menjëhershme”, tha Ruseckas.

Ai shtoi se ishte e pamundur të dihej me siguri arsyeja e reduktimit të furnizimit.

Zyrtarët evropianë dhe amerikanë kanë akuzuar Moskën se luan politikë me furnizimin dhe ndalon gazin për të ushtruar presion mbi BE-në që, përveҫ të tjerave, të miratojë tubacionin e diskutueshëm “Nord Stream II”, i cili kalon përmes Detit Baltik.

Ronald Smith, analist i lartë i naftës dhe gazit në BCS në Moskë, tha se rënia e furnizimit në tubacionin Yamal mund të vijë si rrjedhojë e temperaturave shumë të ftohta, të cilat kanë arritur minus 25 gradë Celsius në Rusinë perëndimore dhe afër minus 50 gradë C në Siberinë Lindore.

“Është e mundur që moti i ftohtë këtu në Rusi po kufizon kapacitetin eksportues të Gazprom në një farë mase dhe/ose ata po punojnë për të ruajtur rezervat ruse sa më shumë të jetë e mundur”, tha ai.

Furnizimi me gaz përmes dy rrugëve të tjera për në Evropën veriperëndimore ka vazhduar të jetë i qëndrueshëm, me një rritje të lehtë të furnizimit nga TurkStream, tubacionit të Detit të Zi që shkon nga Rusia në Turqi e deri në Evropën jugore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme