Jose Mourinho e ka kritikuar Barcelonën për mendësinë që e pati gjatë ndeshjes së mbrëmshme kundër Liverpoolit, në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së kampionëve. Sipas portugezit, pikërisht mendësia e tyre, si e fëmijëve, bëri që katalonasit ta humbnin vendin në finale.
Liverpooli e siguroi finalen e dytë radhazi të Ligës së Kampionëve, pasi e mposhti Barcelonën në ndeshjen kthyese gjysmëfinale me rezultat 4:0 në “Anfield”. Skuadra e Jurgen Kloppit kishte pësuar disfatë 3:0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale, në “Camp Nou”.
Pas disfatës në ndeshjen e parë, shumë tifozë kishin menduar se tashmë Liverpooli e kishte humbur një vend në finale të këtij sezoni, mirëpo golat nga Divock Origi dhe Georginio Wijnaldum e përmbysën rezultatin e përgjithshëm dhe i lanë të tronditur lojtarët e Barcelonës.
Për golin e katërt, që edhe ia siguroi anglezëve kualifikimin në finale, Trent Alexander-Arnoldi e zuri mbrojtjen e Barcelonës të papërgatitur dhe e ekzekutoi shpejt kornerin, që përfundoi me gol të shënuar nga Divock Origi.
“Nëse e shikoni atë gol në një ndeshje të ekipeve U-14 apo U-15, atëherë do të thoshit: “Fëmijët po flenë, fëmijët s’kanë mendësi për të luajtur futboll, fëmijët duhet t’i mësojnë gjërat bazë për futboll””, u shpreh Mourinho.
“Por, ne po flasim për lojtarët më të mirë në botë dhe pranimi i një goli të tillë me të vërtetë që e tregon mendësinë e tyre”.
Liverpooli do ta zbulojë kundërshtarin e finales sonte, pas përballjes mes Ajaxit dhe Tottenhamit në gjysmëfinalen tjetër. Ajaxi po fiton me rezultat 1:0 dhe ndeshjen e sotshme do ta zhvillojë në shtëpi.