Në kuadër të procesit për zhvillimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike, Ministria e Shëndetësisë, me përkrahjen e Agjensisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) në Koosvë, lansoi sot tre udhërrëfyes të tjerë klinikë për Kujdesin Parësor Shëndetësor: Udhërrëfyesin për menaxhimin e Hipertensionit arterial; Udhërrëfyesin për menaxhimin e Astmës bronkiale dhe Udhërrëfyesin për menaxhimin jo-farmakologjik të sëmundjes së diabetit.
Në emër të Ministrit Uran Ismaili dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Sekretari i Përgjithshëm, Dr. Naim Bardiqi falënderoi SDC që përmes Projektit të AQH-së-së për ofrim të shërbimeve të qasshme dhe cilësore në sektorin e shëndetësisë, ka ofruar përkrahjen e tyre edhe në publikimin e këtyre tre udhërrëfyesve për KPSh, sikurse edhe Qeverinë e Luksemburgut dhe UNFPA-në për mbështetjen e tyre në procesin e zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike për nivelet e tjera të Kujdesit Shëndetësor në Kosovë.
“Nevoja për udhërrëfyes dhe protokolle klinike është një nga çështjet prioritare në sektorin e shëndetësisë. Përmes procesit të përcaktuar me kritere qartë të definuara, është bërë priroritizimi i fushave për hartim të këtyre dokumenteve, me theks të veçantë në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës dhe shëndetit riprodhues dhe kujdes parësor shëndetësor. Në këtë kontekst është bërë edhe adaptimi i udhërrëfyesve klinik të cilët pas hartimit nga ana e grupeve të profesionistëve shëndetësorë dhe pas procedimit nëpër të gjitha fazat e përcaktuara, janë aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Sekretari Bardiqi.
“Ky është vetëm hapi i parë në këtë proces i cili duhet të vazhdohet intensivisht me zbatim të tyre në praktikën e përditshme të profesionistëve shëndetësorë. Kërkoj nga të gjithë profesionistët shëndetësorë tek të cilët gjejnë zbatueshmëri këto dokumente të ofrojnë shërbime shëndetësore bazuar në udhërrëfyes dhe t’i shfrytëzojnë ato në punën e tyre të përditshme”, tha ai.
Zëvendësdrejtori i SDC për Kosovë, z. Bernhard Soland, tha se sëmundjet jo-ngjitëse si hipertensioni dhe diabeti janë jë problem global që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e të prekurve dhe familjeve të tyre. Projekti AQH, theksoi ai, ka zhvilluar pakon e shërbimeve për diabet dhe hipertension që kanë për synim përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Ai tha se SDS, përmes AQH-së, ka mbështetur Këshillin Nacional për Udhërrëfyes dhe Protokolle në tre aspekte: Në ofrimin e ekspertizës për hartimin dhe implementimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve; në ofrimin e materialeve referente për udhërrëfyes e protokolle dhe në ofrimin e asistencës teknike përmes logjistikës në përfundimin dhe publikimin e tre udhërrëfyesve të lansuar sot, të cilët do të ndihmojnë edhe në referimin e sëmundjeve jo-ngjitëse brenda sistemit shëndetësor në Kosovë.
Një prezantim rreth procesit të zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike e ka bërë udhëheqësja e Këshillit Nacional për udhërrëfyes dhe protokolle klinike dr. Arbëresha Turjaka, e cila tha se procesi i zhvillimit të udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike bazohet në Udhëzimin Administrativ 08/2015 për udhërrëfyes dhe protokole klinike, përmes së cilit janë përcaktuar edhe trupat rregullatore që sigurojnë mbikqyrje të cilësisë së procesit duke adaptuar praktikat më të mira mjekësore nga vendet e zhvilluara bazuar në standardet ndërkombëtare.
Ky është një proces i vazhdueshëm, ndërsa deri sot janë aprovuar 8 (tetë) udhërrëfyes klinik prej të cilëve do të derivojnë edhe protokollet për lëmitë e caktuara.