Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj deklaratave të Nasim Haradinajt i cili ka thënë se Kosova mund të ketë trazira në rast të një vendimi dënues nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Muharremi ka bërë thirrje për maturi, duke vlerësuar se dëmtimi apo destabilizimi i Kosovës nuk do të ndikonte në vendimmarrjen e Gjykatës Speciale.
“Edhe? Çka po përfitojmë nëse po e kallshim Kosovën? A po u liroshin pastaj ata nëse e bëjmë shkrumb e hi këtu?”, ka shkruar ai.
Sipas tij, Gjykata Speciale, për mënyrën se si është themeluar, nuk ndikohet nga veprimet që mund të ndërmerren brenda Kosovës.
“Duhet me tregu maturi. Gjykata Speciale, ashtu si është kriju, nuk ka asnjë ndikim me çka bëjmë ne në Kosovë”, është shprehur Muharremi.
Ai ka theksuar se shpresa është që ekipet mbrojtëse të kenë bërë punën e tyre dhe të kenë argumentuar pafajësinë e të akuzuarve, në mënyrë që ata të kthehen pranë familjeve të tyre.
Muharremi ka ngritur edhe pyetjen se çfarë efekti do të kishte shkatërrimi i vendit në raport me procesin gjyqësor në Hagë.
“Çfarë veprimi koka ky që na me shkatërru vendin tonë? Cili është efekti që dëshirojmë me e arritë me këtë?”, ka deklaruar ai.
Në reagimin e tij, analisti ka kujtuar se Gjykata Speciale është miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe funksionon jashtë territorit të vendit, duke theksuar se institucionet dhe qytetarët në Kosovë nuk kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimet e saj.
Në fund, Muharremi ka shprehur shpresën për një proces të drejtë dhe të paanshëm, duke thënë se ish-krerët e UÇK-së duhet të kthehen në Kosovë.
“Shpresa dhe kërkesa jonë e vetme është me pas drejtësi të paanshme dhe ata me u kthy në shtëpi për shkak të luftës së drejtë për çlirim dhe liri që e ka bë Kosova. I presim në Kosovë, aty ku e kanë vendin!”, ka përfunduar ai.
Postimi i tij i plotë:
“PARALAJMËRON NH: Nëse merret vendim dënues, DO DIGJET FLAKË KOSOVA…”
Edhe? Çka po përfitojshim nëse po e kallshim Kosovën?
A po u liroshin pastaj ata nëse e bëjmë shkrumb e hi këtu?
Kujdes, ju lutem, se duhet me tregu maturi. Gjykata Speciale, ashtu si është kriju, nuk ka asnjë ndikim me çka bëjmë ne në Kosovë.
Shpresojmë që ekipet e avokatëve e kanë bërë punën e tyre me tregu që janë të pafajshëm dhe se vendin e kanë pranë familjeve të tyre.
Çfarë veprimi koka ky që na me shkatërru vendin tonë? Cili është efekti që dëshirojmë me e arritë me këtë? Ata që vendosin për këtë rast as nuk jetojnë në Kosovë e asnjë ndikim nuk kanë nëse “digjet” apo jo Kosova.
Duhet me pas kujdes me këto gjëra dhe me tregu maturi.
Ne jemi ata që e kemi aprovu në Kuvend këtë gjykatë, e cila është jashtë Kosovës dhe në të cilën nuk ka asnjë ndikim askush nga këtu.. e as nëse “digjet” Kosova apo jo.
Shpresa dhe kërkesa jonë e vetme është me pas drejtësi të paanshme dhe ata me u kthy në shtëpi për shkak të luftës së drejtë për çlirim dhe liri që e ka bë Kosova.
I presim në Kosovë, aty ku e kanë vendin!