Muhaxhiri: VV-LDK, fije e hollë mes shpresës dhe zhgënjimit

Prishtinë | 24 Dhj 2019 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Sot për Krishtlindje u shpërndanë shumë dhurata, por një e tillë nuk u shkëmbye mes dy partive fituese të 6 tetorit për të krijuar institucionet.

Për këtë analisti politik Artan Muhaxhiri thotë se këto dy parti ende nuk kanë arritur në nivelin që të komunikojnë përmes dhuratave, njofton Klan Kosova.

“Duket që ende nuk kanë arritur në nivelin e dhuratave sepse edhe dhurata është një shkëmbim simbolik dhe ka një peshë të rëndësishme në komunikim sepse në dhurata në vete është një lloj komunikimi. Kur ia jep një personi apo institucioni është një pjesë e identitetit tënd që i ofrohet si dhuratë identitetit të atij që e merr. Edhe në sociologji ka shumë peshë dhurata sepse ka shumë elemente që kondensohen në dhuratë. Por si duket edhe LDK-ja edhe Vetëvendosja nuk dëshirojnë që ta respektojnë njeri-tjetrin deri në këtë nivel”.

Muhaxhiri po e sheh si të domosdoshme krijimin e institucioneve në të kundërtën çdo skenar do të ishte i dëmshëm për qytetarët dhe institucionet.

“Situata po del të jetë më e vështirë duke pasë parasysh gjithë atë entuziazëm që ka qenë më 6 tetor. Ka qenë një pritje e bazuar e qytetarëve të Kosovës që kësaj radhe të kemi një ndryshim në mentalitetin e krijimit të institucioneve për dallim nga herët e kaluara ku ka pasë shumë mostranparencë, mirëpo ka pasë lëshime pe dhe kompromise që nuk është dashur të bëhen. Ka pasë shumë ministri që janë ndarë në mënyrë të një aksham pazari ku bie çmimi i mallit. Është krijuar përshtypja edhe për faktin se Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë qenë partnere në opozitë dhe kësaj radhe është dashur ta kenë një ndryshim pozitiv, por fatkeqësisht nuk ndodhi”.

“Marrëveshje duhet të kishte edhe logjikisht, emocionalisht dhe racionalisht sepse të gjitha alternativat tjera do të ishin jashtëzakonisht të këqija. Pra nëse nuk ndodh ky koalicion ajo që potencialisht mund të ndodhë është ndonjë PAN i ri përfshirë edhe LDK-së dhe të kishim një qeveri që do të ishte një vazhdimësi e të kaluarave”.

Muhaxhiri në Info Magazine tha se nëse futen në seancë pa marrëveshje presioni do të ishte i jashtëzakonshëm dhe se arritja e një marrëveshje do ta humbte shkëlqimin edhe ashtu të zbehur.

“Kjo do të ishte jofalënderuse dhe ofenduese për qytetarët nëse shkohet në seancën konstituive pa një marrëveshje. Kur fola për precedentin pozitiv i mendova rastet negative nga e kaluara kur në seanca vraponin kryetarët e grupeve parlamentare për të mbledhur vota për votim. Kjo do të ishte një zhgënjim i jashtëzakonshëm i qytetarëve, por po ashtu do të hymë në pështjellimet ligjore”.

“Kemi pasë këso situata të mjegulluara edhe në të kaluarën që janë krejtësisht jofalënderuese ndaj qytetarëve dhe kemi dalë në një nivel krejt negativ me gjithë këtë entuziazëm dhe shpresë që u krijua”.

Një nga opsionet e përmendura si të mundshme për arritjen e marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së – që nuk është zyrtare – është edhe ai që do ta bënte Vjosa Osmanin presidente.

Këtë Muhaxhiri, e sheh si kompromis të mundshëm këtë opsion nëse kjo e mundëson që të arrihet koalicioni VV-LDK dhe e pamundëson që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Nëse ky opsion do ta mundësonte koalicionin, do t’i parandalonte zgjedhjet e reja dhe hyrjen në spiralen e paqartësisë ekstreme, atëherë unë jam për këtë opsion. Mendoj se do të ishte një tendencë për pozitivitet, ashtu siç LDK-ja e dëshmoi një tendencë të tillë me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre – e cila ishte një pikëpyetje e madhe në zgjedhje si kandidaturë sepse nuk besonin se garda e vjetër do ta bënte këtë lëshim”.

“Nëse Vjosa Osmani kandidohet për presidente nga ana e LDK-së dhe Lëvizja Vetëvendosje e pranon, mendoj se do të ishte e përshtatshme edhe duke e pasë parasysh numrin e madh të votave”.

“Nuk është lëshim i madh që LDK-ja e bën ndaj një të panjohure që vjen si pasojë e pazareve, por është ndaj politikanes që ka qenë më e votuara në këto zgjedhje, ndërkohë që ka pasë numër jashtëzakonisht të madh të votave edhe në zgjedhjet e kaluara kur kishte probleme të mëdha me strukturë”.

“Vjosa Osmani ka imazh pozitiv dhe me një punë më të madhe të LDK-së në terren sot do të mund të ishte kandidate për kryeministre”.

Por, kujt do t’i pengonte një opsion i tillë – Vjosa Osmani presidente?

“Janë të kuptueshme raportet e pushtetit brenda partisë. Ka pasë shumë dilema edhe për kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre”.

“Kandidimi i Vjosa Osmanit për presidente do t’i pengonte së pari Isa Mustafës sepse ai edhe publikisht e ka pranuar mundësinë që të jetë kandidat i LDK-së për president dhe ta përfundojë karrierën e tij politike. Do t’i pengonte edhe disa eksponentëve të fuqishëm të cilët edhe këtyre ditëve kanë konflikt medial-verbal me Vjosa Osmanin për një lloj afrimi me Albin Kurtin”.

“Janë dy pikëvështrime politike – afatshkurtër taktik dhe afatgjatë strategjik. Nëse LDK-ja e shikon në aspektin strategjik, atëherë do të mund ta vërejë dhe vetëdijësohet që fiton shumë nëse e fillon transformimin sepse nuk ka rrugëdalje tjetër”.

“Çdo stagnim do të jetë më së shumti i keq për LDK-në”.

Të ngjashme