Kurti për regjistrimin e popullsisë: Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme për planifikimin e së ardhshmes

Prishtinë | 25 Maj 2024 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se me përfundimin e procesit të regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë të dhëna shumë të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhmes, raporton Ekonomia Online.

Këto komenti, kreu i ekzekutivit i ka bërë në shënim të përfundimit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, i nisur më 5 prill 2024, të organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me UNDP-në

“Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur”, tha kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve.

Ai u shpreh i lumtur për përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur ishte bërë për herën e fundit, duke theksuar se kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë.

Kryeministri Kurti ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit tanë, për të cilët tha se kanë mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e ardhshëm. Ai i falënderoi edhe ekipet e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësit e këtij procesi.

Për realizimin dhe përfundimin e suksesshëm të këtij procesi, mbështetje dhe kontribut të çmuar kanë dhënë edhe institucionet ndërkombëtare përfshirë: Eurostat, UNECE, UNFPA, UNDP dhe shumë organizata të tjera ndërkombëtare në Kosovë, për të cilat gjithashtu jemi mirënjohës dhe falënderues.

Të ngjashme