Është pritur që stinori vjeshtor të jetë i futbollistit të ri, Florent Muslija. Skuadra e tij, Hannoveri, ra nga Bundesliga në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Kjo shpesh nënkupton më shumë hapësirë e përgjegjësi për lojtarët e rinj, në të cilët skuadra llogarit për periudha më të gjata.
Ai, po ashtu në vjeshtë, luajti tri ndeshje për Kosovën. Kosova pati fushatë të suksesshme dhe për një futbollist të ri shpesh paraqitja me përfaqësuese është shtytje e madhe në klub.
Por pritshmëritë e Muslijës nuk janë realizuar. Për më tepër, ai në pushim dimëror ka shkuar pas një momenti shumë të vështirë në karrierë. Hannoveri të shtunën barazoi 2:2 me Stuttgartin në ndeshjen e xhiros së fundit të stinorit vjeshtor në Bundesliga 2. Muslija 21-vjeçar u aktivizua në minutën e 73-të. Për befasi të tij, u zëvendësua sërish në minutën e 86-të. Pra, la fushën ende pa përfunduar ndeshja. Nuk pati ndonjë lëndim apo shqetësim shëndetësor. La fushën pasi trajneri i tij nuk ishte i kënaqur me përkushtimin e reprezentuesit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Në të vërtetë përkushtimi për skuadrën, në ndeshje apo stërvitje, ka munduar ndër vite disa futbollistë të njohur kosovarë. Në këtë listë së fundi është shtuar Muslija, prej të cilit te Kosova presin shumë.
Zëvendësimi i zëvendësuesit zakonisht vlerësohet turpërues në futboll. Kështu ishte vlerësuar ditë më parë për talentin italian, Moise Kean, që i ndodhi e njëjta gjë tek Evertoni, ndonëse trajneri nuk fajësoi direkt atë për zëvendësimin që ia bëri, pasi fillimisht e kishte aktivizuar në pjesën e dytë.
Muslija luan si mesfushor ofensiv. Këtë stinor është paraqitur në 15 ndeshje në Bundesliga 2, ndërsa ka shënuar një gol. Ka munguar vetëm në tri ndeshje, ndërsa ka kompletuar po ashtu tri ndeshje. Në shumicën ka startuar, por nuk ka luajtur deri në fund.