Mungesë e barnave në Onkologji, familjarët e blejnë një medikament 600 euro

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 14:59 | Nga Ekonomia Online

Në Klinikën e Onkologjisë në QKUK janë duke munguar disa lloje të citostatikëve për trajtimin e pacientëve me kancer. Një familjar ka treguar se si është detyruar të sigurojë barnat nga jashtë të cilat i kanë kushtuar 600 euro, ndërsa nga Barnatorja Qendrore “besojnë se do të furnizohen shpejt”

Një paciente që është duke marr kimioterapi për trajtimin e kancerit në mushkëri, në dy seanca është trajtuar me terapi pa njërin prej medikamenteve kryesore i cili quhet ‘Pemetrexed’. Familjarët e saj në kushte anonimiteti tregojnë se në mungesë të furnizimit nga QKUK, janë detyruar të gjejnë zgjidhje jashtë vendit, shkruan Gazeta Shneta.

“E kemi porositë jashtë vendit dhe po presim të vijë. Kushton rreth 600 euro. Është e shtrenjtë por mjekët kanë thënë se ky është një medikament që sulmon tumoret. Dy seanca i ka marr pa këtë medikament”, ka thënë ky familjar.

Në anën tjetër drejtori i Klinikës së Onkologjisë Dr. Ilir Kurtishi, thotë se ‘Pemetrexed’ është medikament që mund të zëvendësohet dhe zakonisht kështu veprohet kur ka mungesë. Sipas Kurtishit janë vetëm tre ose katër lloje të citostatikëve që mungojnë aktualisht.

“Janë vetëm disa, tre ose katër lloje që mungojnë. Furnizimi deri më tani ka qenë stabil përkundër situatës me pandeminë. Kemi kryer rreth 4 mijë terapi dhe për fat të mirë s’kemi asnjë pacient pozitiv me Covid-19”, ka thënë Kurtishi.

Por në një listë të cilën e ka siguruar Gazeta Shneta, nga 59 citostatikë mungojnë 37 lloje. Barnat kundër kancerit që mungojnë sipas kësaj liste janë këto: Asparaginase, BCG, Bevacizumab, Bleomicin, Calcium Folinat, Carboplatine, Chlorambucil, Cisplatin, Citarabin, Cyclophosphamid, Dacarbazin, Docetaxel, Doxorubicin, Fludarabin, Hydroxicarbamide, Ibandronate, Melfalan, Paclitaxel, Pemetrexed, Sodium Cloronat, Tioguanine, etj. Të gjitha këto barna janë në Listën Esenciale të Barnave.

Barnatorja Qendrore e QKUK-së e ka pranuar se ka mungesë të disa citostatikëve duke u arsyetuar se për këta artikuj nuk kanë kontratë.

“Për citostatik janë realizuar të gjitha kërkesat për furnizim konform kontratave valide, ndërsa artikujt të cilët janë në procedurë të prokurimit apo për shkaqe të ndryshme disa artikuj nuk kanë kontratë dhe rrjedhimisht klinika nuk është e furnizuar”, thuhet në përgjigjen e BQ-së.

Barnatorja e cila udhëhiqet nga Gëzime Pllana, thotë se kontrata për ‘Pemetrexed’ është nënshkruar dhe njëjtë pritet të ndodhë edhe për produkte të tjera. “Besojmë se së shpejti klinika do të furnizohet me këto produkte”, thuhet në përgjigjen e BQ-së.

E deri atëherë pacientët e sëmurë me kancer do të duhet të marrin terapi pa këto barna, ose t’i sigurojnë vet nga jashtë me çmime të shtrenjta.

Të ngjashme