Mungon prokurori dhe i akuzuari, shtyhet gjykimi për mashtrimin rreth shitblerjes së një parcele

Prishtinë | 28 Shk 2024 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Në mungesë prokurorit Ali Hajdini dhe të akuzuarit Rizman Sheqiri, të mërkurën, ka dështuar të mbahet gjykimi, në rastin ku i njëjti po akuzohet për mashtrim rreth shitblerjes së një parcele.

Sheqiri po akuzohet se ka vënë në lajthitje të dëmtuarin Shemsedin Bilibani duke i shkaktuar dëm mbi 90 mijë euro ashtu që e ka nxitur të veproi në dëm të pasurisë së tij, duke e shitur ¼ e pronës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e prokurorit Hajdini, gjykatësja e rastit Donikë Shala-Abdyli tha se i njëjti përmes parashtresës kishte njoftuar gjykatën që duhej të merrte pjesë në një seancë tjetër dhe që nuk kishte mundur të gjente zëvendësim për seancën e sotme.

Ndërsa, për mungesën e të akuzuarit Sheqiri, mbrojtësi i tij, avokati Kadri Osaj tha se sot ishte njoftuar nga djali i të njëjtit që i akuzuari nuk mund të prezantonte në seancë për arsye shëndetësore, duke i dorëzuar gjykatës raportin mjekësor.

Në këtë seancë po ashtu mungoi edhe dëshmitari Abaz Ademi për të cilin gjykatësja Shala- Abdyli tha se gjykata kishte dëshmi që ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme u shty për një datë tjetër.

Sipas aktakuzës së ngritur më 17 gusht 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Rizman Sheqiri akuzohet se më 20 shtator 2013, me qëllim të përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Shemsedin Bilibani, ashtu që e ka nxitur të veproj në dëm të pasurisë së tij duke e shitur pronën e tij me çmim mbi 90 mijë euro dhe pas kësaj shitje edhe e ka nxitur të kryej veprimin tjetër në dëm të pasurisë së tij, duke nënshkruar kontratën e përpiluar te noteri më 24 shtator 2013 për shitblerjen e paluajtshmërisë ngastrës përkatëse kadastrale në vlerën e cekur më lartë.

Të ngjashme