Musliu: Serbia nuk po përgatitet vetëm me armë për ta trazuar Kosovën

Prishtinë | 27 Tet 2022 | 20:52 | Nga Ekonomia Online

Wksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka folur rreth ndalimit të një serbi në Kosovë, tek i cili u gjetën një sasi armësh, municioni, para e granata dore, pak ditë para skadimit të afatit për konvertimin e targave ilegale serbe me ato RKS, e të cilat po kundërshtohen nga Serbia dhe serbët lokalë.

Në një postim në Facebook, Musliu ka thënë se serbi i ndaluar nga autoritetet e Kosovës është pjesë e një organizimi që po e bën Serbia së bashku me Rusinë kundër Republikës së Kosovës.

“Dje Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi në rrjete sociale disa fotografi, të bëra pas ndalimit të një serbi, ku shiheshin arme, municion, radiolidhje, para 12.000 euro e 4 granata dore”.

Ai thotë se sekuestrimi i një megafoni është një sinjal për atë çfarë po përgatitet Serbia.

“Megjithëse aksioni i Njësisë antidrogë e ka pasur rastin, në dyshime për narkotik, dhe sipas informatave, serbi i ndaluar po mbahet në paraburgim për veprimtari nga Njësia e antikrimit të organizuar, kam bindjen se megafoni flet se për çka duheshin pajisjet e tjera që janë sekuestruar armët dhe paratë”.

Ai shprehu shqetësimin se serbi që po mbahet është pjesë e një organizimi që po e bën Serbia (së bashku me Rusinë) kundër Republikës së Kosovës.

“MEGAFONI jo vetëm që shërben për ta rritur zërin e udhëheqësve serbë, të cilët flasin për trazira, por ai FLET vetë për qëllimin e këtij serbi dhe të vetë Serbisë e Rusisë”.

“Nëse ky serb është ndaluar, kjo nuk do të thotë që të tjerë nuk kanë kaluar pa u vërejtur! Në pjesën veriore, përgjatë kufirit në Serbinë, ka pasur dhe besoj kanë mbetur ende rrugë ilegale, përmes të cilave barten armë”.

Të ngjashme