Mustafa: 324 milionë euro investime gjatë vitit 2015

Prishtinë | 20 Kor 2016 | 09:14 | Nga

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se gjatë vitit 2015 kompanitë e huaja në Kosovë investuan 324 milionë euro e që, sipas tij, është rritje dy herë më e madhe sesa një vit më parë

Gjatë vitit 2015 kompanitë e huaja në vendin tonë investuan 324 milionë euro apo dy herë më shumë sesa në vitin paraprak. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë hapjes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

“Vitin e kaluar kemi arritur të absorbojmë rreth 324 milionë euro investime të huaja direkte, që është një rritje dy herë më e madhe sesa një vit më parë. Po ashtu kemi një rritje edhe të kompanive me pronarë investitorë të jashtëm”, ka thënë kryeministri Mustafa, duke shtuar se statistikat tregojnë se edhe në periudhën janar-qershor të këtij viti ka një rritje prej 36 për qind të kompanive me pronarë të huaj.

“Veçmas na gëzon neve fakti se kemi një shtim prej 31 për qind të bizneseve, ku pronarët janë gratë, që është një faktor tepër i rëndësishëm i politikave dhe i synimeve tona ekonomike në mënyrë që të kemi një numër më të shtuar të grave në menaxhimin e bizneseve dhe në jetën ekonomike”, ka thënë ai.

Sipas tij, kundërshtimet e opozitës për dy marrëveshjet, atë për Demarkacionin me Malin e Zi dhe atë për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, nuk kanë ndikuar në ngecjen e zhvillimit ekonomik në vend.

Kreu i ekzekutivit Isa Mustafa ka thënë se Qeveria, që ai e drejton gjatë këtyre dy vjetëve të qeverisjes, është përballur me shumë vështirësi për shkak të këtyre kundërshtimeve nga spektri opozitar.

“Kemi arritur po ashtu një agjendë të qëndrueshme që të krijojmë kushte dhe norma për bizneset, që të krijojmë një zhvillim ekonomik me të cilin ne mund të mburremi, por i cili duhet të vazhdojë më tej. Po ashtu, ne presim që të kemi një rritje ekonomike për vitin e kaluar prej rreth 4 për qind, që është rritja më e lartë në regjion”, tha kryeministri Mustafa.

Të ngjashme