Mustafa: Kosova ka nevojë për përkrahje të shteteve mike për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Prishtinë | 28 Pri 2019 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, ka thënë se Procesi i Berlini ka krijuar rrethana të reja të bashkëpunimit për vendet e Ballkanit.

“Procesi i Berlinit, i idejuar nga Kancelarja Merkel, ka shtytë përpara rrjedhat e bashkëpunimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe, po ashtu, ka krijuar rrethana të reja të komunikimit ndërmjet këtyre vendeve”.

“Takimi i nesërm në Berlin është i dobishëm për të dinamizuar këtë proces”.

Mustafa tha se jo vetëm Kosova dhe Serbia, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë shumë punë për tu evropianizuar institucionalisht.

“Kosova ka nevojë për përkrahje të Gjermanisë dhe të Francës, tani si vende boshte të BE-së. Sikurse që i nevojitet partneritet i fortë me SHBA-të dhe Mbretërinë e Bashkuar për të arritur Marrëveshjen përfundimtare me Serbinë”.

“LDK-ja, si parti më e madhe në vend, është shprehur qartë për nevojën e një marrëveshjeje të qëndrueshme, sikurse që ka qenë dhe është e qartë se nuk do të përkrahë asnjë marrëveshje e cila prek kufijtë e Kosovës, shtetësinë e shpallur me Deklaratën e Pavarësisë të 17 shkurtit 2008, karakterin unitar të vendit dhe që është e rrezikshme për regjionin dhe më gjerë”.

Ai më tej tha se kur Kosova është e qartë në qëndrimet e saj, dhe pjesa dërmuese e subjekteve janë të qarta, e ka më lehtë edhe në Berlin edhe në Washington, sipas tij kjo ua lehtëson punën edhe miqve të vendit.

Të ngjashme