Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, dhe ministrin e Financave, Avdullah Hoti, ka vizituar Ndërmarrjen “Trepça”, ku kanë takuar menaxhmentin, përfaqësuesit e sindikatës dhe minatorë.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa theksoi se me miratimin e ligjit, Trepça ka marrë rrugën e vet dhe ardhmëria e saj është e sigurt.
“Vlerësuam bashkërisht se ardhmëria e Trepçës është e pa kthim, Trepça e ka marrë rrugën e vet, Ligji në mënyrën më të mirë e ka bërë zgjidhjen për perspektivën e Trepçës, dhe tani vetëm se duhet të punojmë që të përgatitemi që ne të implementojmë Ligjin posa ai të hyj në fuqi. Është e drejtë e të gjithëve që të bëjnë ankesa, t’iu drejtohen institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës dhe kjo fare nuk e pengon Trepçën dhe neve që të vazhdojmë këtë rrugë, sepse ne jemi të përcaktuar që ta forcojmë Trepçën, që Trepçën ta organizojmë si korporatë moderne dhe Ligji pikërisht e mundëson këtë organizim të “Trepçës” në interesin e punëtorëve të saj dhe qytetarëve të Mitrovicës dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, theksoi kreu i Qeverisë.
Mustafa, po ashtu, u shpreh i kënaqur me statusin e minatorëve në Ligjin e ri i cili do të mundësoj tërheqjen e investimeve publike, private e të kombinuara, për procedimin e produkteve të Trepçës.
“Unë dëshiroj t’i uroj gjithë minatorët, të falënderoj Kuvendin e Republikës së Kosovës, kryetarin e Kuvendit, kryetarin e Komisionit Parlamentar dhe Grupet Parlamentare, të cilët në këtë moment kanë qenë gati të gjithë unik sa i përket këtij objektivi nacional të Kosovës dhe konsideroj se Trepça kështu si është paraparë me ligj, është në interes të të gjithëve. Asnjë komunitet nuk mund ta sheh veten të rrezikuar, por e sheh veten të avancuar, sepse nuk kanë pasur shanse më përpara ta mendojë askush, se do të bëhet pjesë edhe pronësore e aseteve të Trepçës, ashtu siç ne tani e kemi rregulluar me Ligj. Çështjet tjera janë pastaj çështje të politikave, sepse e kemi thënë qartë, që ne me askënd nuk do ta diskutojmë çështjen e pronësisë së Trepçës. Ajo i përket Kosovës, minatorëve të Kosovës, ndërkaq pasuritë minerare janë pasuri e shtetit të Kosovës dhe kjo çështje mbetet e mbyllur njëherë e përgjithmonë. E hapur mbetet, se si ne ta çojmë Trepçën përpara”.
Kurse, drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Ahmet Tmava, vlerësoi se ligji është në interes të Trepçës, por mbi të gjitha është në interes edhe për vendin.
“Ne si Trepçë, si menaxhment, si punëtorë, si sindikatë, e falënderuam kryeministrin dhe të gjitha institucionet të cilat kanë qenë të kyçura në kuadër të implementimit të këtij ligji, dhe tani më koha e entuziazmit për ne ka kaluar dhe i premtuam kryeministrit se me zyrtarizimin e ligjit, ne si punëtorë, si Trepçë, do të marrim të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë zhvillimore që na takojnë dhe pritjet e shumta të qytetarëve në shkallë vendi do t’i bëjmë realitet”, theksoi Tmava.