Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk do bëjnë më kurrë koalicion. Sipas tij, prishja e koalicionit nga PDK-ja nuk e ka dëmtuar LDK-në, por proceset në vend.
Në një prononcim për Ekonomia Online, pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Mustafa tha se kanë diskutuar për përgatitjet e mundshme për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen më 11 qershor.
“Bëmë përgatitjet për zgjedhje, u morëm vesh me kryetarët e degëve për agjendat, t’i bëjnë komisionet zgjedhore, t’i përgatisin listat edhe për kritere. Kërkuam që të jenë njerëz me kritere gjithashtu do të ketë njerëz të rinj. Për koalicione kemi lënë hapësirë, nuk kemi vendos ende jemi të hapur. PDK-ja nuk është në listë. Do të bisedojmë me ato parti që kemi besim. Me prishjen e koalicionit LDK nuk është dëmtuar, është dëmtuar vendi”, ka thënë Mustafa.