Mustafa: Raporti i BB-së konfirmon se ekonomia dhe standardi i jetesës janë në rënie të lirë në Kosovë

Prishtinë | 05 Tet 2022 | 12:21 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-ministër, Besian Mustafa, ka thënë se raporti i fundit i Bankës Botërore konfirmon atë që e ka ndier çdo qytetar i vendit dhe çdo familje kosovare gjatë një viti e gjysmë (sa në pushtet është Vetëvendosje): Ekonomia dhe standardi i jetesës janë në rënie të lirë.

“Raporti thekson qartë dobësitë ekonomike të kësaj Qeverie dhe strategjinë e dobët të luftës kundër krizës ekonomike, energjetike dhe të inflacionit”, ka shkruara Mustafa, në një postim në Facebook.

“Rritja ekonomike pritet të bie drastikisht sivjet në vetëm 3,1 % në mungesë të investimeve kapitale, veçanërisht nga Qeveria e cila çuditërisht mban 800 milionë euro në bankë, pa i shfrytëzuar, pa i investuar. Në anën tjetër, deri në korrik të këtij viti, importet e mallrave u rritën për 26%”, ka theksuar ai.

Edhe pakoja sociale që u promovua shumë nga Qeveria, sipas Bankës Botërore vlerësohet si e strukturuar keq dhe me ndikim tejet të vogël, veçanërisht tek familjet më në nevojë.

“Inflacioni, që ka arritur mbi 20% në gusht 2022 në ushqim dhe transport, e shumëfish më shumë në energji, do të dëmtojë thellësisht buxhetin e familjeve kosovare”.

“Përderisa kriza ka fillet tek periudha gjatë dhe pas pandemisë COVID-19 dhe tek lufta në Ukrainë, paaftësia për t’u dalë ballë sfidave ekonomike në Kosovë është ajo që fatkeqësisht po bie rëndë mbi qytetarët dhe familjet e tyre”.

Besian Mustafa kërkon që Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të gjejë zgjidhje. Sipas tij, tanimë LDK i ka ofruar 10 pikë për tejkalimin e krizës energjitike si dhe propozime konkrete për zbutjen e çmimeve të ushqimit dhe derivateve. “Është koha të veprojnë, kanë gati 2 vite në Qeveri!”

Të ngjashme