Mytaher Haskuka paguan ish-zv.drejtorët e shkollave pa punuar fare

Prizren | 28 Tet 2020 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Disa ish-zëvendësdrejtorë dhe një ish-drejtor shkolle në Prizren janë paguar për një kohë për këto pozita, përkundër që kontratat e tyre kishin skaduar apo ndërprerë nga ana e kryetarit të Komunës Mytaher Haskuka, ndërsa njëri prej tyre në këtë formë është paguar së paku 6 muaj, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Premtimet për ndryshime në të mirë të arsimit, të bëra nga Haskuka dhe partia e tij Vetëvendosje! me të ardhur në pushtet jo vetëm, që nuk u realizuan, por gjërat shkuan në drejtim të kundërt.

Kryetari prizrenas Haskuka, që është edhe profesor universitar, gjatë qeverisjes së tij, pos tjerash do të mbahet mend edhe për degradimin e arsimit. Sipas opozitës, nuk ka asnjë konkurs në arsim, që ka nisur dhe përfunduar pa afera. Haskuka është kritikuar për sfidë në rekrutimin e menaxherëve të shkollave, duke i lënë shumicë me ushtrues detyre (u.d) të drejtorit e disa me u.d të zv/drejtorit.

Ndër skandalet e kryetarit ishte ai i gushtit, kur në prag të fillimit të vitit shkollor, pa shpallur konkurs sipas ligjit, shkarkoi disa drejtorë shkollash, të cilët ndonëse u kishte skaduar kontrata, duke zëvendësuar ata pa konkurs me mësimdhënës të preferuar, madje pa pasur as njërin nga kriteret kryesore të parapara atë të menaxhimit.

Derisa për këtë rast ka ankesa nga të shkarkuarit dhe se procesi po ndiqet nga avokatët, burime të portalit “Gazeta e Prizrenit” bëjnë të ditur se disa zv/drejtorë shkollash në mungesë të sistemimit në vende të reja të punës, ashtu siç parashihet me ligj në rastet e skadimit të kontratave, kanë vazhduar ta marrin pagën e njëjtë përkundër që kanë qëndruar në shtëpi.

Rast i tillë është ai i ish-zv/drejtorit të shfmu “Lekë Dukagjini”, Hysamedin Beshi, të cilit i ka skaduar kontrata në fillim të prillit, ndërsa ka vazhduar të paguhet në këtë pozitë, së paku deri në fund të shtatorit pa punuar askund.

Një rast tjetër është ai Vjollca Bytyçit, ish-zv/drejtoreshë në “Mustafa Bakiu”, të cilës i ka skaduar kontrata në gusht, por që ende nuk është sistemuar. Sipas burimeve, po ashtu nuk është risistemuar as Hilmi Rexha, ish-drejtor i shfmu “Haziz Tolaj”.

Ngjashëm janë paguar edhe Afërdita Shahini nga shfmu “Fadil Hisari” që vonë është sistemuar dhe Nadije Ajazaj nga shkolla në Zhur, por portali nuk ka arritur të siguroj të dhëna të sakta për numrin e pagave të marra.

Do theksuar se shkollat e përmendura tashmë janë lënë pa zv/drejtorë.

Portali “Gazeta e Prizrenit” për këto çështje ka kërkuar sqarime nga Drejtoria për Arsim, por përkundër pritjes prej gati dy javësh, nuk ka marrë asnjë përgjigje, për dallim nga rasti kur është pyetur për të infektuarit me Covid në shkollat e komunës, kur përgjigja ishte brenda ditës.

Në këtë rast shtrohet pyetja, a duhet dhënë përgjegjësi për ngarkesa të tilla buxhetore?!

Ashtu edhe siç pritej, sektori i Arsimit ishte ndër sfidat kryesore ku kryetari prizrenas Haskuka jo vetëm që nuk arriti së paku ta ruaj ashtu siç ishte, por gjatë qeverisjes së tij gjendja u përkeqësua. Haskuka që ishte zotuar për depolitizim të arsimit është kritikuar nga opozita për politizim të skajshëm.

Në dy vitet e para të qeverisjes ai ka ndërruar dy drejtorë të këtij sektori, duke emëruar së fundi të tretën, Xhemile Thaqi- Vezgishin, të cilën opozita e ka akuzuar se nuk ia ka haberin kësaj fushe, meqenëse nuk ka punuar kurrë në arsim. Gjatë qeverisjes së Haskukës, për shkak të situatës në arsim, Kuvendit Komunal si asnjëherë tjetër, për 2 vjet e gjysmë i ëështë dashur të mblidhet së paku dy herë për mbledhje të jashtëzakonshme.

Drejtoria e Arsimit në Prizren shpenzon mbi 500 euro për pica e somune (dok)

Vlen të theksohet se pos një konkursi për drejtorë shkollash, në shtator 2018, kur DKA-në e drejtonte Nisma, Haskuka dhe Vetëvendosje nuk kanë mundur ta zgjedhin asnjë drejtor apo zv/drejtor shkolle, ndërsa për këtë opozita ka kritikuar se disa sosh në këtë formë udhëheqin më tepër se 6 muaj, apo në shkelje të ligjit.

Një rast ku është thyer rekord e që do të mbahet mend gjatë, është shkolla e mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren, ku dy vitet e fundit janë emëruar katër ushtrues detyre të drejtorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme