A duhet lejuar pjesëmarrja vullnetare në luftën në Ukrainë? Kështu përgjigjen kosovarët

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 12:01 | Nga Ekonomia Online

UBO Consulting ka kryer një hulumtim në Kosovë ku qytetarët janë pyetur rreth temave të ndryshme që preokupojnë vendin.

OMNIBUS është një matje që bëhet me 1065 qytetarë, ku institucionet, organizatat dhe bizneset mund të vendosin pyetjet e tyre për të kuptuar qëndrimin e opinionit publik lidhur me një temë të caktuar.

UBO Consulting, marrë parasysh zhvillimet e fundit në botë, rajon dhe vend, ka vendosur që të bëjë disa pyetje aktuale për të parë disponimin e opinionit lidhur me temat e ndryshme.

Lufta Ukrainë – Rusi ka tërhequr vëmendjen e opinionit vendor, siç ka ndodhur gjithandej në botë. Andaj UBO Consulting ka pyetur qytetarët se a duhet lejuar pjesëmarrja vullnetare e kosovarëve në luftën Ukrainë – Rusi.

Nga të anketuarit, 17.9% janë përgjigjur se duhet lejuar, 68.7% janë përgjigjur jo, ndërsa 13.4% nuk e di.
Në grupmoshat 18-24 vjeç dhe 65+ ka pasur më shumë përgjigje po, me 20.6% respektivisht 24.8% për po. Ndërkaq grupmoshat 35-44 janë përgjigjur më së shumti me “jo”, me 74.2%.

Sipas etnive, shqiptarët janë përgjigjur 18.3% po, 68.1% jo dhe 13.7% nuk e di, serbët 2.3% po, 88.4% jo dhe 9.3% nuk e di ndërsa minoritetet tjera 25.6% po, 62.8% jo dhe 11.6% nuk e di.

Përzgjedhja e amvisërisë duke shfrytëzuar metodën sistematike të rastësisë, si dhe zhvillimi i anketës me personin i cili e ka ditëlindjen e parë më të afërt i moshës mbi 18 vjet. Pyetësori është realizuar me 1065 të anketuar. Pyetësori është realizuar nga data 7 mars deri më 15 mars 2022 në 38 komuna të Kosovës dhe ka nivel të besueshmërisë prej 95% me marzhë të gabimit prej +-3 pikë të përqindjes.

Të ngjashme