ABGJ kërkon barazi gjinore në organet e qeverisjes lokale

Prishtinë | 19 Dhj 2017 | 09:36 | Nga

Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ) -Zyra e kryeministrit dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka uruar udhëheqësit e rinj të komunave pas zgjedhjeve të fundit lokale.

Përmes një komunikate për media, ABGJ ka kërkuar nga kryetarët e rinj të komunave që t’u përmbahen obligimeve kushtetuese për sa i përket barazisë gjinore nëpër poste komunale.

“Duke shfrytëzuar rastin e fillimit të ushtrimit të mandatit tuaj, ABGJ dhe MAPL, ju përkujton mandatarëve që janë përgjegjës për funksionalizimin e organeve komunale, Kuvendit të Komunës, si organi më i lartë si dhe ekzekutivin e Komunës, që propozimet për kandidatët/et për zv. Kryetarë/e të Komunave, Kryesues/e dhe zëvendës/e Kryesues/e të Kuvendit të Komunës, Kryesues/e dhe zv. Kryesues/e të Komiteteve, plotësimit të ekzekutivit me drejtor/e, obligimin për të respektuar zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore të Kosovës neni 6-të, pikat 7 dhe 8-të për “Përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej 50 % – për qind për secilën gjini, përfshirë këtu edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse’”, thotë kjo Agjenci.

Sipas kësaj agjencie, përfaqësimi i barabartë gjinor në vendim-marrjen politike dhe ekzekutive Komunale është reflektim dhe zbatim i drejtpërdrejtë si dhe jetësim i Kushtetutës së Republikës së Kosovës sipas së cilës “Barazia gjinore është vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore’.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme