Arrestimet dhe aksioni anti-kontrabandë i Policisë së Kosovës në Veri në syrin e mediave ndërkombëtare

Prishtinë | 29 Maj 2019 | 09:08 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor, zhvilluan të martën një aksion të gjerë anti-kontrabandë.

19 zyrtarë policorë përfunduan të arrestuar ndërsa theks i veçantë iu dha intervenimeve në Veri, që rezultoi edhe me deklarata të ashpra mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të pasuar më pas edhe përgjigja e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit në lidhje me paralajmërimet serbe për ndërhyrje të mundshme ushtarake, njofton Klan Kosova.

Këto zhvillime në gjithë vendin, u bënë lajm edhe i mediave botërore, pasi pati reagime nga pala serbe në lidhje me të dyshuarit të arrestuar të këtij nacionaliteti.

Gjiganti mediatik BBC, përcolli këto zhvillime me vëmendje, ndërsa është fokusuar në atë se si pjesëtarë të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, u kapën si të dyshuar për krim të organizuar.

Ndërsa Euronews, është fokusuar më shumë në tensionet e ngritura mes Kosovës e Serbisë edhe pas këtij aksioni policor i cili u zhvillua edhe në Veri të Mitrovicës që i cili rezultoi me arrestime të disa të dyshuarve serbë.

Po ashtu edhe The Guardian i ka kushtuar artikull arrestimeve të djeshme që ndodhën në Kosovë gjatë aksionit policor të zhvilluar. Gazeta e njohur ndërkombëtare shkruan se si Policia e Kosovës arrestoi një rus i dyshuar për kontrabandë e krim të organizuar që i njëjti doli të ishte pjesë e misionit diplomatik të OKB-së në Kosovë, UNMIK.

Veç tyre Al Jazeera i ka vënë fokus të veçantë deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq se ushtria serbe është në gjendje gatishmërie luftarake për ndërhyrje pasi Policia e Kosovës hyri në zona të banuara me serbë dhe kreu arrestime ndaj atyre që dyshohet se kryenin krim të organizuar, njofton Klan Kosova.

Të ngjashme