Babai i Astritit thotë se djalin ia vrau shteti, mediet i quan hiena

Prishtinë | 11 Nën 2016 | 17:05 | Nga Albulena Misini Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Prindërit e Astrit Deharit kanë thirrur konferencë për medie për të shprehur mllefin me publikimin e pamjeve nga Burgu i Prizrenit, nga dita e vdekjes së djalit të tyre.

Avni Dehari, babai i Astritit, ka akuzuar shtetin e Kosovës, për vrasjen e djalit të tij, dhe ka kërkuar hetim “të pavarur”, duke thënë se nuk i beson as Prokurorisë, as Policisë së Kosovës.

Ai ka akuzuar edhe mediet, të cilat i ka quajtur shërbëtore të pushtetit dhe “hiena”, që po mundohen të përfitojnë nga vdekja e të birit të tij, raporton Ekonomia Online.

“Ne nuk kemi aspak besueshmëri në këtë polici, e as në këtë prokurori. Ata vetë kanë krijuar mosbesim, sepse i ndryshojnë përditë deklaratat”.

Sipas tij, Prokuroria është bërë instrument politik në duart e pushtetit. “Nuk po e kryen punën e vet, por të atyre që e kanë dërguar Astritin në burg”.

“Shteti që na e ka vra djalin nuk nxjerrë asnjë fakt. Medieve po iu drejtohem në vend që të merren me padrejtësinë që e bënë ky shtet, janë duke u marrë me disa gjëra që e kamuflojnë më shumë rastin”, tha ai.

Krahas dhembjes për humbjen e djalit, Dehari tha se kur shkojnë në shtëpi nuk mund të jenë të qetë prej televizionit dhe portaleve, të cilat nxjerrin gjithçka për vdekjen e Astritit.

“Mundohen të krijojnë telenovela, po na tmerrojnë me pamjet që po i nxjerrin… Shteti e ka vra Astritin, mediat janë ba hiena që po përfitojnë”, u shpreh Dehari, i cili edhe vetë ka qenë pjesë e medieve.

Edhe nëna e Astritit, Xhemile Dehari, ka kërkuar hetime të pavarura, pasi tha se nuk i beson shtetit të Kosovës.

Në vazhdim, ajo foli për vizitën e sekretarit të VV-së, Dardan Molliqaj, në burgun e Prizrenit, për çka disa medie kanë spekuluar se i ka bërë presion Astritit, i cili thueht se ishte gati të bashkëpunonte me prokurorinë për zbardhjen e rastit të sulmit me zollë ndaj Kuvendit të Kosovë.

“Është folur e stërfolur që Dardan Molliqaj, Sami Kurteshi, e kanë vizituar Astritin. Dua të përshkruaj vizitën e Dardan Molliqajt në Prizren. Dardanin e kemi shok të shtëpisë, shok të dy djemve. Kur kemi hyrë në burgun e Prizrenit me bo vizitën me Molliqajn, vizitorë tjerë ka pasur sa të duash. Katër sportele janë të të burgosurve.  Dy police në një anë, dy të tjerë në anën tjerët ishin prezentë në takimit ndërmjet Molliqajt dhe djalit tim”, ka thënë ajo.

Edhe Avni Dehari tha se vizitat Astritit, së bashku me shokët e tij, i kanë bërë me lejen e organeve kompetente. “Për çdo të martë e kam bërë kërkesën për familjarët por edhe për ndonjë shok të tij. Kë e ka kërkuar ai, ia kam dërguar për vizitë dhe nuk është ashtu siç flitet në media”.

Në konferencë merrte pjesë edhe vetë Molliqaj. Ai tha se kjo është konferenca më e vështirë në jetën e tij. “Unë e kam ditur që ky pushtet është kriminal, por nuk e kam ditur që është i poshtër. Këta janë kriminelë të paskrupullt, të poshtër dhe nuk kanë asnjë kufi”, është shprehur Molliqaj.

Të ngjashme