Hoxha takoi sekretaren e shtetit, Karoline Edtstadler, merr përkrahje për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 01 Tet 2018 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka takuar Sekretaren e shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë, Karoline Edtstadler, me të cilën ka diskutuar për pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës rreth lëvizjes së lirë.

Hoxha, ka theksuar se migrimi ilegal është dukuri në ulje të vazhdueshme, viteve të fundit ka pësuar zvogëlim të jashtëzakonshëm, gjithë kjo falë ndryshimeve legjislative që ka ndërmarrë Kosova dhe reformave të tjera të cilat kanë fuqizuar sigurinë e kufijve.

Hoxha, theksoi se Kosova ka legjislacion pozitiv dhe vullnet të zbatoj marrëveshjet ndërkombëtare si dhe të ndikoj për uljen e emigrimit ilegal dhe ndëshkimin e krimit të organizuar. Ministrja po ashtu, ka theksuar se Kosova ka mekanizmat për të lehtësuar riatdhesimin si organizimin e transportit, pajisjen me dokumente, banimin, shkollimin dhe çështjet e punësimit.

Hoxha foli edhe për të mirat që sjell liberalizimi për qytetarët e Kosovës sepse, duke pasur lëvizjen e lirë, të rinjtë tanë do të marrin përvojat më të mira nga vendet e Shëngenit, dhe Kosova nuk përbën rrezik për migracion në asnjë formë.

Edtstadler theksoi se fuqizimi i sundimit të ligjit, reformat gjithëpërfshirëse dhe serioziteti institucional për të realizuar agjendat evropiane, janë detyra shtëpie për institucionet e Kosovës, duke shprehur optimizëm se sfidën e procesit integrues, Kosova do ta kaloj me sukses, në veçanti për liberalizimin e shpejt të vizave.

Të ngjashme